Vrau vëllanë, familja e braktis edhe pas vdekjes
TIRANE - Familjarët e Artan Dheskalit nga Bubullima e Lushnjës që nga momenti i arrestimit të tij pas kryerjes së krimit në vitin 1998 nuk e kanë takuar asnjëherë. Pas vetëvrasjes së tij dhe përfundimit të ekspertizave mjeko-ligjore autoritetet e burgut kanë njoftuar familjarët, por asnjëri nuk ka shkuar për të tërhequr trupin e pajetë. Kjo ka detyruar autoritetet e Burgut të Zaharisë në Krujë, që ta dërgojnë viktimën në morgun e kryeqytetit dhe prej andej në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Aty autoritetet e burgut të Zaharisë kanë kryer ceremoninë mortore, ndërsa familjarët kanë qëndruar indiferentë, edhe pse ishin njoftuar për të gjitha këto veprime. Shkak për braktisjen e tij edhe pas vdekjes ishte bërë krimi i rëndë i ekzekutimit të vëllait pas një grindjeje banale mes tyre për probleme pronësie. Pjesa tjetër e familjes nuk e kanë kaluar lehtë krimin, duke e braktisur totalisht të arrestuarin. Burime nga burgu pohojnë se pas refuzimit të familjarëve, shpenzimet e ceremonisë mortore janë kryer nga ana e Drejtorisë së Burgut të Zaharisë, të cilët kanë kryer edhe varrimin e Artan Dheskalit në fshatin e tij të lindjes, Bubullimë, Lushnjë. ro.ni.