Vrau vëllain, vetëvaret në burg
Roland Nikolli
Vetëvaret në qelinë e izolimit vrasësi i vëllait. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrë-mjen e së enjtes në burgun e Fushë-Krujës kur 39-vjeçari Artan Dheskali, nga fshati Bubullimë i Lushnjës i dha fund jetës duke u vetëvarur me çarçaf. Burime nga burgjet pohojnë se 39-vjeçari Dhaskali ishte dënuar për vrasjen e vëllait të vet 13 vjet më parë, ndërsa pesë vitet e fundit ndodhej në burgun e Zaharisë së Krujës, pasi vuante nga një sëmundje nervore për të cilën merrte kurime. Një muaj më parë ai kishte paraqitur në Gjykatën e Krujës kërkesën për lirim të parakohshëm, pasi i duheshin edhe dy vite e pesë muaj burg, për të përfunduar dënimin. Prokuroria e Krujës pohoi dje se vetëvarja e 39-vjeçarit është kryer në orën 19:50 të mbrëmjes së të enjtes. Në orën 18:00 të së njëjtës ditë ai ishte vendosur në qelinë e izolimit, pasi në orën 13:00 të mesditës sipas raportit të shërbimit Dhaskali kishte kaluar në depresion nervor e për pasojë kishte filluar të sillej në mënyrë agresive me dy shokët e qelisë. Ai kishte qëlluar me grushte dhe shkelma njërin nga bashkëvuajtësit e moshuar. Kjo ka bërë që autoritetet policore të burgut të urdhëronin, në bazë të dispozitave ligjore, nxjerrjen e tij nga qelia dhe mbajtjen për pesë orë me radhë nën përkujdesjen e ekipit mjekësor dhe psikologut për të bindur atë që të mos sillej në mënyrë agresive me të burgosurit dhe të ishte më i qetë. Rreth orës 18:00 Dhaskali është futur në një dhomë të veçantë për të shmangur konfliktet, ndërkohë gardianët e kanë mbajtur nën kontroll gjatë gjithë kohës. Të paktën nga ora 19:00 deri më 19:45, polici e ka kontrolluar gjashtë herë, për të parë reagimin e sjelljes së tij, ndërsa kontrollonte gjatë kësaj kohe edhe 15 qeli të tjera. Pak minuta më vonë është dëgjuar një zhurmë, teksa 39-vjeçari është përplasur me derën prej llamarine të qelisë. Në këto momente polici ka hyrë në qeli dhe ka parë të varur të burgosurin, të cilin e ka ngritur lart dhe i ka prerë çarçafin, ndërsa ka lajmëruar menjëherë edhe oficerin e rojës. Reagimi ka qenë i menjëhershëm duke mbërritur në qeli mjeku i burgut, i cili e ka gjetur Dheskalin të ulur në gjunjë, në çastet e fundit të jetës. Burime zyrtare nga ky institucion pohojnë se 39-vjeçari lushnjar, kishte përdorur çarçafin e tij, duke e lidhur në telat që rrethonin portollambën. Pasi e ka fiksuar atje çarçafin ka krijuar një lak për ta futur në qafë.
Dhaskali ka tentuar edhe më parë të vrasë veten
Burgu i Krujës pohoi dje se 39-vjeçari Artan Dheskali kishte tentuar edhe herë të tjera për të vrarë veten, kur ndodhej nën efektet e krizave nervore. Gjatë gjithë kohës ai merrte mjekime, ndërsa sipas dokumentacionit në këtë institucion ka rezultuar se në orën 19:17 minuta ai ka marrë dozën e fundit të ilaçeve. Gjatë gjithë kohës, për shkak të sëmundjes nervore, që nga marrja e dënimit Dhaskali ka qëndruar në Spitalin e Burgjeve në Tiranë dhe më pas në burgun e Zaharisë, Krujë.