E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkatarët e mbytur në Divjakë, deti nxjerr në breg dy trupat

 

LUSHNJE- Deti nxori dje në breg dy trupat e peshkatarëve që u mbytën në Divjakë, Stavri Prendit dhe Vangjel Trungut. Ata dolën paraditen e së enjtes për të mbledhur rrjetat e hedhura gjatë natës, por dallgët e mëdha përmbytën varkën e tyre e, për pasojë, ata nuk mundën të dalin në breg. Trupi i pajetë i Stavri Prendit u gjet mëngjesin e djeshëm nga forcat kufitare të Kavajës në brigjet e plazhit të Spillesë. Ndërsa rreth orës 07:10 u gjet edhe trupi i 53-vjeçarit Trungu, jo shumë larg vendit ku u mbyt varka. Familjarët e viktimave mbërritën dje në vend dhe morën kufomat për t'iu kryer ceremoninë mortore. Peshkatarët jetonin afër njëri-tjetrit, ndërsa prej vitesh ata punonin së bashku për të siguruar bukën e gojës së fëmijëve të tyre. Viktimat nuk kishin të ardhura të tjera, ndaj ishin të detyruar të dilnin në det edhe në dimër, kur moti i keq dhe dallgët rreth 7 ballë në det të hapur iu rrezikonin atyre jetën. "Dolën për të siguruar bukën e gojës dhe u kthyen në shtëpi me arkivol. Me vdekjen e Stavrit, e gjithë familja do të përjetojë një krizë ekonomike, duke qenë se nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të jetuar. Është një dhimbje e papërballueshme dhe tepër e madhe, u shpreh njëri nga të afërmit e Stavri Prendit. Viktima mësohet se ishte babai i tri vajzave të vogla. Ndërsa bashkëshortja e tij është e sëmurë dhe nuk është në gjendje të punojë për të mbajtur familjen. Pikërisht për këtë shkak, fqinjët dhe të afërmit e Stavri Prendit i kërkojnë shtetit të ndihmojë familjen e viktimës me ndihmë ekonomike. Situatë e rëndë ishte dje edhe në familjen e peshkatarit tjetër të mbytur, Vangjel Trungut. Sipas të afërmve të tij, Trungu ishte babai i 6 fëmijëve, shumica prej të cilëve në moshë ende të mitur. Ata nuk kishin asnjë të ardhur tjetër, veçse ndihmës në të ardhura nga puna që kryente në det babai i tyre. Viktima ishte i detyruar të kryente një punë të tillë, pasi në shtëpi kishte edhe një fëmijë të sëmurë mendorë, i cili kërkonte përkujdesje të veçantë. "Ai ka punuar në më të shumtën e kohës me ndërmarrjen e nxjerrjes së gazit në Divjakë. Kishte rreth dhjetë vjet që e kishin nxjerrë nga puna dhe merrej me peshkim. Vangjeli ishte njeri punëtor. Shkonte çdo ditë në det me varkën e rrjetat së bashku me mikun e shokun e tij, Stavri Prendin. Shteti duhet t'i ndihmojë, pasi fëmijët e tyre nuk kanë asnjë mundësi tjetër mbijetese, pohuan të afërmit e Prendit. Vangjel Trungu, 53 vjeç dhe Stavri Prendi, 48 vjeç, dolën me varkën e tyre për të peshkuar paraditen e së enjtes. Por rrymat e forta detare të shoqëruara nga stuhia e përmbytën varkën rreth 300 metra larg nga bregu. Peshkatarë të tjerë të Divjakës, të cilët u ndodhën afër vendit të ngjarjes, tentuan të ndërhyjnë për të shpëtuar jetën e të njohurve të tyre, por deti i egërsuar iu rrezikoi edhe atyre jetën. Në këto kushte, peshkatarët i detyruan të kthehen mbrapsht, ndërsa sinjalizuan policinë për ngjarjen e ndodhur në Divjakë.          m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›