E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol kunatit të nënkryetarit të KLD-së

DURRËS/ Banesës së Ardian Gjuzit i është vënë një sasi eksplozivi, fatmirësisht pa shkaktuar viktima


Nga ana e policies, janë ngritur dy pista: aktiviteti i biznesmenit durrsak dhe lidhja e tij me drejtuesin e KLD-së


DURRËS - I vihet tritol shtëpisë së kunatit të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiut. Shpërthimi ka ndodhur në një nga banesat e lagjes 12, duke tronditur të gjithë banorët përreth, pasi ka pasur një rreze të madhe përhapjeje.


Burime nga policia bëjnë të ditur se dyshohet se eksplozivi i vendosur para banesës së Ardian Gjuzit mund të ketë lidhje me aktivitetin e tij tregtar, por gjithashtu mund të jetë edhe ndonjë presion përkundrejt detyrës së kunatit të tij si nënkryetar i KLD-së.


Gjithsesi, vijon të hetohet në këto dy drejtime për të zbuluar edhe autorët e vendosjes së tritolit. Fatmirësisht gjatë shpërthimit, në apartament nuk ka pasur asnjë nga anëtarët e familjes, çka ka bërë që gjithçka të kalojë vetëm me dëme materiale.


Ngjarja


Shpërthimi i fuqishëm ndodhi rreth orës 19:30 të së dielës në katin e tretë të pallatit nr.622 në lagjen nr.12 të Durrësit, në banesën e 33-vjeçarit Ardian Gjuzi. Një sasi tritoli (e cila përllogaritet të jetë rreth 100 gram) është vënë para derës së apartamentit, në kohën që brenda në banesë nuk ndodhej njeri.


Nga shpërthimi janë dëmtuar dyert edhe të apartamenteve të tjera, si dhe pajisjet elektroshtëpiake që ndodheshin në banesë. Gjithashtu janë thyer edhe xhamat e jashtëm të dritareve.


Mësohet se në kohën e vendosjes së sasisë së eksplozivit, në të gjithë pallatin ndodhej vetëm një çift pensionistësh. Mësohet se nga shpërthimi ka pasur dëme të konsiderueshme në pothuajse të gjitha apartamentet e pallatit, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz.


Hetimi


Policia e Durrësit ka shkuar menjëherë në vendngjarje, pasi është njoftuar për shpërthimin e ndodhur në lagjen nr.12. Grupi hetimor ka konstatuar se sasia e tritolit ishte vendosur në pragun e derës së 33-vjeçarit Ardian Gjuzi, biznesmen me aktivitet privat, i cili zotëron një butik, si dhe një agjenci shitjesh biletash udhëtimi.


Gjithashtu, nga informacionet e mëtejshme, rezulton se personi është kunati i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (është martuar me motrën e këtij të fundit). Këto informacione kanë bërë që pistat e para të kenë lidhje me aktivitetin privat që zhvillon Gjuzi, por edhe me ndonjë presion të mundshëm ndaj drejtuesit të KLD-së.


Fakti që në kohën e vënies së tritolit, në banesë nuk ka pasur asnjë person, bën që ngjarja të shihet më tepër si kërcënim sesa të jetë me qëllim vrasës. Ndërkohë, burime nga policia thonë se pronari i banesës rezulton të ketë pasur probleme të mëparshme me drejtësinë jashtë vendit tonë. Megjithatë, hetimet e mëtejshme pritet të tregojnë edhe shkaqet e vënies së sasisë së eksplozivit.


Dëshmia


Një nga personat që ka qenë në banesë në kohën e shpërthimit është pensionisti Shpëtim Goseni. Ai thotë se zhurma ka qenë e tmerrshme dhe se janë dëmtuar thuajse të gjitha dyert e apartamentit të vet.


Goseni thotë se ai nuk ka shumë frikë, pasi është pensionist, por i cilëson ngjarje të tilla të rënda dhe shqetësuese për banorët. Ndërkohë, policia shkencore ka marrë gjurmët e mundshme në vendngjarje si dhe ka sekuestruar një fitil dinamiti zjarrpërcjelles, rreth 75 cm i gjatë, që ka shërbyer për realizimin e plasjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›