E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë/Tre të arrestuar për grabitjen e kazinosë

Dy nga të arrestuarit dhe i kërkuari i fundit, ishin punonjës në pikën e lojërave të fatit ku morën 230 mijë lekë të reja Policia shpall në kërkim autorin e katërt të grabitjes me armë të kryer mbrëmjen e të dielës


Katër persona të armatosur dhe me maska, grabitën me armë një kazino mëngjesin e sotëm në qytetin e Korçës në rrugën "1 Maji"duke marrë 2.3 milionë lekë të vjetra. Disa orë pas ngjarjes, policia e qytetit arrestoi tre persona, dy vëllezër dhe një person të tretë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim nga policia.


Një prej vëllezërve dhe personi i tretë i arrestuar, sipas buimeve të policisë së Korçës, punonjës të kazinosë së grabitur bashkë me personin e fundit që kërkohet për krimin.


Endri Bostanxhi, 34 vjeç, punonjës sigurie i lojërave të fatit "Admiral Club", vëllai i tij, Leonard Bostanxhi, 40 vjeç, si dhe Kostika Simaku, 43 vjeç , punonjës në pikën e lojërave të fatit "Admiral Club", u arrestuan paraditen e djeshme nga efektivët e Drejtorisë së Policisë së Korçës me akuzën e grabitjes me armë në bashkëpunim, të pikës së lojërave të fatit ku punonin.


Ndërkaq, policia shpalli në kërkim një person të katërt me të njëjtën akuzë, i dyshuar si bashkëpunëtor i tre të arrestuarve. Emri i tij, sipas burimeve, nuk bëhet i ditur ende për shkaqe të hetimit, ndërsa policia pohoi se ka provuar tërësisht implikimin e të dyshuarve në këtë krim.


Ngjarja ndodhi mesnatën e të dielës, kur persona të maskuar dhe me armë hynë në kazino duke kërcënuar rojen e turnit dhe arkëtarin duke marrë shumën prej 230 mijë lekësh të reja.


Menjëherë pas ngjarjes, autorët, banorë të një lagjeje në rrugën "1 Maji", janë larguar bashkë me paratë të cilat janë hedhur në një kazan plehrash në një rrugë aty pranë. Një pjesë tjetër personat i kanë marrë me vete.


Dyshohet se paratë do të merreshin në kohën që vëmëndja do të ishte drejtuar në kërkimin e autorëve.


Gjatë kohës që policia kryente veprimet në vendin e ngjarjes, aty është afruar një prej të arrestuarve me pretekstin se po interesohej për çka kishte ngjarë.


Ky veprim i ka futur në dyshime hetuesit të cilët e kanë shoqëruar menjëherë atë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut për ta pyetur mbi dijeninë e tij për ngjarjen. Bashkë me të është shoqëruar edhe një person tjetër dhe i vëllai i tij.


Të tre ata janë futur në ambientet e policisë dhe janë marrë në pyetje nga hetuesit. Nga veprimet e kryera prej hetuesve janë gjetur dëshmi prova dhe fakte që sipas tyre implikojnë të arrestuarit. Menjëherë pas marrjes së këtyre fakteve, hetuesit kanë komunikuar me prokurorët duke marrë në këtë mënyrë edhe fletë-arrestin për të dyshuarit.


Gjatë kontrollit të kryer në banesat e tyre policia gjeti disa armë dhe sende të tjera që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Gjatë marrjes në pyetje të gjithë të arrestuarit kanë pranuar krimin e kryer, ndërsa policia ka mundur të gjejë 170 mijë lekë të reja, nga 2.3 milionë të vjedhura.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›