E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol në banesën e ish-kryekomunarit

Autori i Lajmit: red.
Tritol në banesën e ish-kryekomunarit. Policia e Shkodrës ka nisur hetimet dhe ka pohuar se sasia e tritolit mendohet të ketë qenë e vogël dhe ishte vendosur në derën e jashtme të banesës. Në momentin e shpërthimit, në banesë nuk ka qenë askush. Eshtë kërcënuar kësaj radhe konkretisht denoncuesi i abuzimeve me pronat në zonën bregdetare në komunën e Velipojës, disa kilometra larg qytetit të Shkodrës. Sipas Gjovalin Zekës, të zotit të shtëpisë ku është vendosur tritoli, motiv i ngjarjes së rëndë është vetëm hakmarrja e qarqeve të caktuara. Pak ditë më parë kishte denoncuar publikisht vjedhjen e pronave në Velipojë. “Dikush kërkon të më mbyllë mua gojën”, - ka thënë Zeka, disa orë pas shërthimit të fuqishëm.
Një sasi tritoli ka shpërthyer rreth orës 01.00 të mëngjesit të së mërkurës në banesën e Gjovalin Zekës, në qendër të Velipojës, i cili mendohet të ketë qenë edhe shënjestra e radhës.
Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, pasi familjarët kanë qenë në një banesë tjetër në fshatin Rrjoll, disa km larg qendrës së Velipojës, ndërsa janë konstatuar dëme të mëdha materiale. Fqinjët e Gjovalin Zekës kanë njoftuar policinë në lidhje me shpërthimin e sasisë së tritolit. Menjëherë është ngritur një grup hetimor për të zbardhur motivet dhe autorët. Vetëm pak minuta pak mesnatës është dëgjuar shpërthimi i fuqishëm. Shpërthimi është dëgjuar deri në plazh, megjithëse është gati 5 km më larg. Fqinjët që janë tronditur shumë, kanë lajmëruar menjëherë policinë. Ndërsa vetë Zekaj ka marrë njoftimin nga Policia e Shkodrës. Lënda plasëse, që mendohet të jetë tritol, është vënë në pragun e derës së oborrit të ndërtesës, thuajse trekatëshe të Gjovalin Zekës. Policia dyshon se sasia e tritolit të vënë në banesën e Gjovalin Zekës është një paralajmërim ndaj këtij të fundit për denoncimet që ka bërë në lidhje me abuzimet e pronave në zonën bregdetare. Në momentin e shpërthimit Gjovalin Zekaj nuk ka qenë në shtëpi. Në derën e tij kishte vënë një lajmërim se nuk ishte në shtëpi, pasi ishte me pushime. Sipas disa burimeve policore, në afërsi të derës, në xhamat e disa makinave të parkuara janë gjetur disa letra me përmbajtje kërcënuese të shkruara me kompjuter.

Ish-kryekomunari

Gjovalin Zeka ka qenë kryetari i parë i komunës së Velipoëjs në periudhën paskomuniste. Aktualisht është drejtues i Partisë Mendimi i Djathtë Liberal në Velipojë, dhe anëtar i Këshillit të Komunës. Ai njihet si personi i parë që ka denoncuar abuzimet me tokat bregdetare në Velipojë. Ai tashmë është në krye të protestave të banorëve të kësaj zone. Zeka, gjithashtu, ka hapur një proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, ku denoncon emërimin e kryepleqve nga Këshilli i komunës së Velipojës. Sipas tij, pikërisht këtej rrjedh gjithçka. Ai thotë se e ka të qartë në mendjen e tij se si ka funksionuar kjo skemë kërcënimi. Zekaj akuzon për këtë drejtues të lartë të politikës komunare, por edhe politikanë nga Tirana. Sipas tij, në vitet e fundit, në komunën e Velipojës janë vjedhur votat.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›