E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri rrezikon jetën e 50 punonjësve

Autori i Lajmit: red.
Transformatori në afërsi të Uzinës së Petëzimit në Elbasan ka shpërthyer në flakë. Zjarri ka përfshirë të gjithë godinën ku ndodhet administrata dhe reparti i punëtorëve të uzinës. Burime të policisë, si dhe të repartit të zjarrfikëses, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, bëjnë të ditur se “shkak i zjarrit ka qenë shpërthimi i transformatorit, i cili ka vënë në rrezik jetën e disa punëtorëve". Për shuarjen e flakëve ka qenë shumë e vështirë, pasi mësohet se transformatori punonte me vaj. Për shuarjen e tyre duhen mjete speciale si dhe duhet përdorur shkuma e jo uji. Fatmirësisht, nuk janë shënuar dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Uzina e Petëzimit në Elbasan administrohet nga firma turke “Kurum”.
Zjarri
Shpërthen në flakë një transformator në Uzinën e Petëzimit të Çeliqeve në Elbasan. Fatmirësisht, dëme në njerëz nuk ka pasur, por dëmi financiar përllogaritet në dhjetëra milionë lekë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.30, fare pranë zyrave qendrore të firmës turke “Kurum” që administron uzinën e prodhimit të çeliqeve në këtë qytet. Plasja është shoqëruar me një shpërthim tepër të fuqishëm dhe vaji i derdhur nga transformatori ka provokuar flakë që kanë përfshirë objektin e uzinës së petëzimit. Firma turke është vënë në alarm. Fillimisht është dyshuar për pasoja tek punëtorët dhe personeli. Por, pasi janë siguruar se nuk ka dëme në njerëz, përfaqësuesit e firmës janë munduar të fshehin të vërtetën, edhe pse tymi dhe flaka ishin në qiell. Drejtoria e “Kurum” ka urdhëruar vendosjen e postbllokut në hyrje të uzinës dhe ka kontrolluar në imtësi të gjithë personat dhe automjetet që hynin në metalurgji. Për fikjen e zjarrit është angazhuar i gjithë reparti i zjarrfikësve në Elbasan, i drejtuar nga shefi i këtij reparti, Aleksandër Hodo. Zjarri është vënë nën kontroll brenda një ore. Zjarrfikëset kanë mundur të lokalizojnë dhe fikin flakët e dhunshme që po përhapeshin me shpejtësi kudo në objektin e uzinës. Por këtu fillojnë edhe paradokset e firmës turke “Kurum”. Drejtori i “Kurum” në Elbasan, Jashar Akshim, ka urdhëruar fshehjen e së vërtetës dhe ndalimin e gazetarëve në vendngjarje.
Hetimet
Në hyrje të uzinës është ngritur një postbllok ku janë kontrolluar me rreptësi të paparë të gjitha automjetet dhe personat që qarkullonin në këtë aks rrugor. Megjithatë, kjo pengesë është kaluar. Por në vendin e ngjarjes janë lëshuar si përbindësha të vërtetë “të fortët” shqiptarë të firmës që paguhen për këto punë nga vetë “Kurum”. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet e shpërthimit të transformatorit. Sipas të dhënave të para, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një hark i shkurtër elektrik. Megjithatë, ky version është pak i besueshëm për faktin se transformatorët shpërthejnë kur nxehet vaji për shkak të mbingarkesës. Ndaj një nga pistat e hetimit është edhe mbingarkesa në rrjet dhe ajo e amortizimit të transformatorit. Specialistë të KESH-it në Elbasan bënë të ditur se transformatori ka pasur fuqi 1800 kilovat ose 1.8 megavat. Nuk është hera e parë që firma turke “Kurum” mundohet të fshehë të vërtetën e shpërthimeve vdekjeprurëse që ndodhin në ambientet e saj. Si pasojë e shpërthimit të furrës, në muajin janar të këtij viti, gjetën vdekjen 2 metalurgë dhe u plagosën 10 të tjerë. Në atë kohë mjaft specialistë turq u fshehën, pasi kërkoheshin nga policia. Një burim policor pohoi se disa nga shtetasit turq që punojnë në uzinë janë të papajisur me leje qëndrimi. Pra punojnë në ilegalitet pranë kësaj firme. Ky fakt duhet të shërbejë si objekt hetimi për organet kompetente.

Ky lajm është publikuar: 07/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›