E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritoli në familjen Shkreta, në kërkim Jetmir Llanaj

Shtëpia e familjes Shkreta

KURBIN – Megjithëse nuk ka asnjë provë, Policia e Kurbinit e ka referuar vendosjen e eksplozivit në banesën Mark Shkretës në Shpërllet të Mamurrasit për në ngarkim të Jetmir Llanajt. Burime nga Drejtoria e Policisë në Lezhë kanë bërë të ditur se i dyshuar kryesor për ngjarjen është Jetmir Llanaj, babai i djalit 9-vjeçar të vrarë nga dy djemtë e Shkretës më 5 qershor të këtij viti. Po sipas këtyre burimeve, shkak për dyshimet e hedhura ndaj Jetmir Llanajt është konflikti që kanë mes tyre dy familjet, ndërsa vijojnë hetimet për të mbledhur prova ndaj tij. Nuk dihet  vendndodhja aktuale e Llanajt, por ngjarja në Prokurori është vënë në ngarkim të tij, duke e shpallur person në kërkim. Ndalimi i tij pritet që të zbardhë më shumë detaje rreth shpërthimit të rreth 5 kg lëndë eksplozive në hyrje të shtëpisë së Mark Shkretës, së bashku me mjetin në të cilën ishte transportuar. Nga shpërthimi i eksplozivit pati dëme të mëdha materiale dhe jo të lënduar në njerëz. Në shtëpinë e Shkretës nuk jetonte asnjë pjesëtar i familjes, pasi ndërtesa ishte braktisur menjëherë pas atentatit ndaj familjes Llanaj, ku mbeti i vrarë një fëmijë 9-vjeçar si dhe u plagos rëndë 26-vjeçari Muharrem Llanaj. Ky i fundit drejtonte mjetin tip “Volksvagen”, ndaj të cilit sipas policisë u qëllua me breshëri automatiku nga vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta, tashmë të vënë në pranga nga uniformat blu.      gj.f

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›