E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora ul me 20% çmimet për pushuesit, ankesa për rrugët



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Qyteti i Vlorës ka çelur sezonin turistik në fillim të muajit maj, duke treguar se është gati për qindra mijë pushues. Plazhet publike në zonën e njohur si plazhi i ri, i vjetri, ato në zonën e Radhimës dhe plazhet private kanë pritur ditët e fundit turistët ditorë, si pushuesit e parë të sezonit 2010.
Por, megjithë përgatitjet dhe hapjen zyrtare të dyerve për turistët ka ende probleme. Ende pa mbërritur në plazh, pushuesit hasen me infrastrukturën rrugore. Aksi nga Fieri në Vlorë është i dëmtuar, çka krijon lodhje për udhëtarët. E njëjta gjendje është dhe brenda qytetit. Për shkak të investimeve që janë kryer në rrjetin e ujërave të zeza si dhe të rrjetit të ujësjellësit është dashur ndërhyrja në të gjitha lagjet e qytetit të Vlorës duke shkatërruar rrjetin rrugor. Ditët e fundit Bashkia e Vlorës ka filluar ndërhyrjen në riparimin e infrastrukturës rrugore në qytet, punime të cilat do të vazhdojnë deri në muajin korrik që do të thotë se gjysma e sezonit do të kalojë me rikonstruksion të rrugëve. Për pasojë parashikohen vështirësi në qarkullimin e mjeteve, kryesisht në pikun e sezonit. Një tjetër problem është derdhja e kanaleve të ujërave të zeza direkt në det, kryesisht pranë Akademisë dhe Plazhit të ri, duke sjellë ndotjen e tij dhe rrezikun për pushuesit. Megjithatë, nga ana e tij, drejtori i Turizmit në Bashkinë e Vlorës Ilir Metaj është shprehur se sezoni turistik sapo ka filluar dhe janë marrë masat për një sezon të suksesshëm. "Në Vlorë ofrohet një paketë turistike e cila është dhe arma më e fortë e Vlorës. Ajo është futur në shinat e destinacionit turistik dhe nga viti në vit kjo paketë po perfeksionohet. Sivjet ka një stad më të lartë, si për zhvillimin turistik po ashtu dhe për infrastrukturën e qytetit. Po ashtu dhe jeta artistike dhe kulturore e qytetit sa vjen dhe përmirësohet duke organizuar aktivitete të ndryshme". Këtë vit sipas Metajt është bërë një ulje çmimesh prej 20 %, duke vënë një raport më të saktë mes çmimit dhe cilësisë, me qëllim tërheqjen e një numri më të madh turistësh. Faktin e uljes së çmimit që ofrojnë shërbimet hoteliere dhe restorantet këtë verë e pohojnë dhe sipërmarrësit privatë. Sipas tyre, ky vendim është marrë për të mos u larguar pushuesit, duke u ndikuar nga kriza ekonomike e fqinjëve tanë. Por vetë operatorët turistikë thonë se ndërsa në shërbimet që u ofrojnë pushuesve ka rritje të cilësisë vit pas vit, kërkohet dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, lokale dhe kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›