“Si e ndryshuam qëndrimin e Francës për Kosovën”
Intervistoi Henri çili
Origjina rumune e ka bërë të ndjeshëm ndaj Shqipërisë, e cila njësoj si Rumania, përjetoi regjimet më të egra diktatoriale. Por kontributin madhor si intelektual e ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare ai e ka dhënë në mbrojtje të çështjes së Kosovës. Pierre Hassner, ndër personalitetet publikë më në zë në Francë, në një intervistë për gazetën "Panorama" tregon të gjitha detajet e lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga themelimi i Komitetit për Kosovën në Francë në vitin 1999, sensibilizimi i opinionit publik, por edhe analizat për të ardhmen e Ballkanit vijnë qartazi për lexuesin...
Pse jeni angazhuar në çështjen e Kosovës?
Dëgjoni, unë kam filluar me angazhimin në çështjen e Bosnjës në vitet 1991-1992, pastaj miku im, Antoine Garapau, i cili e njihte shumë mirë Kosovën, më bëri edhe mua të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje. Unë kisha gjithmonë ndjesinë, ashtu sikurse thuhej shpesh në atë kohë, se lufta filloi në Kosovë dhe do të përfundonte në Kosovë, se në fakt, po përpiqeshin të ndreqnin gabimet që ishin bërë në Dejton, ku ishte lënë mënjanë çështja e Kosovës. Më pas, kemi pasur kontakte me Presidentin Rugova, gjatë vizitave të tij në Paris, dhe jemi përpjekur të ndërmjetësojmë tek autoritetet franceze. Pra, isha i interesuar për gjithë atë eksperiencë aparteidi që po ndodhte atje dhe nga rezistenca jo e dhunshme, kështu që fillova të interesohesha. Pastaj më intereson edhe Shqipëria, duke qenë se jam me origjinë nga Rumania, që bashkë me Shqipërinë kanë pasur regjimet më të ashpra diktatoriale dhe janë çliruar të fundit prej tyre. Ashtu sikurse lufta në ish-Jugosllavi, nuk mund të përfundonte pa u zgjidhur problemi i Kosovës, ashtu edhe çlirimi i Evropës nuk mund të ndodhte pa pasur edhe Shqipërinë.
Ne në Shqipëri kemi pasur bindjen se Franca ka mbështetur gjithmonë Serbinë. Por gjatë luftës në Kosovë pati një ndryshim të opinionit publik dhe të vendimmarrjes suaj në lidhje me çështjen e Kosovës. Pse dhe si ndryshoi politika e Francës ndaj Kosovës?
Unë nuk kam pasur ndikim të madh, por ndoshta komiteti që ne krijuam, dhe roli i disa intelektualëve mediatikë si për shembull B-H Levy, Gluksman, etj., ka ndikuar në opinion. Më kujtohet që kam pasur një bisedë në radio me Vedrine dhe ai thoshte se ju intelektualët na thoni se duhet bërë kjo, duhet bërë ajo. Unë iu përgjigja: ju ndoshta shikoni gjithë ditën intelektualët mediatikë nëpër media, por ama duhet të dëgjoni edhe njerëzit që kritikojnë politikën tuaj, që janë specialistë të rajonit si zoti Rupnik, apo ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare si ish- ambasadori i Kroacisë. Ai mu përgjigj, po, por këta nuk kanë rëndësi, rëndësi kanë ata që kanë ndikim në opinionin publik. Këtu mund të përfshihet ndoshta Bernard Kuchner, sepse ai shërbeu deri diku si urë lidhëse, ai kishte pasur lidhje edhe me Miterrand, në të njëjtën kohë i është përkushtuar çështjes së Kosovës. E vendosëm edhe ne një gur të vogël, por Franca e ka ndjekur gjithmonë çështjen e Kosovës. Ishte e vështirë të mbështesje Serbinë pas gjithë asaj që bëri, besoj se edhe Miterrand e ka thënë një herë. Ai ka thënë: Franca do të ishte mbrojtësi i natyrshëm i Serbisë, po të mos kishte bërë aq shumë krime. Dhe sidomos në momentin kur ndodhi masakra e Sebrenicës. Por politika e Francës ndryshoi edhe me ardhjen e Presidentit Shirak pas Mitterrand. Në fakt, në atë kohë pati edhe probleme me ushtarët francezë, që u kapën rob nga serbët dhe kjo ishte fyese për Francën. Pra në këtë moment, ndryshimi i politikës së Francës nuk është aq për të drejtat e boshnjakëve dhe shqiptarëve, por edhe për nderin e saj.
Kjo ishte për sa i përket angazhimit tuaj si intelektual, po ju si studiues, duke folur nga pikëpamja shkencore, si specialist i gjeostrategjive në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, përse jeni i mendimit se Kosova duhet të ketë një fat tjetër?
Jam pak skeptik për sa i përket karakterit shkencor të shkencave politike, është tashmë gjë e mirë që kemi një farë bonsensi në lidhje me njohuritë historike. Asgjë nga ato që them nuk janë shkencë. Por ama është diçka paradoksale të mendosh që në momentin që shembet Jugosllavia, malazezët, kroatët, sllovenët, shkëputen, dhe ata duan të mbajnë vetëm 2 milionë kosovarë që kanë qenë gjithmonë të pushtuar. Unë jam pro faktit që njerëzit të bashkëjetojnë në paqe, por e kemi parë se që nga vitet '30 dhe sidomos gjatë Milosheviçit, që kjo nuk funksiononte. Madje kam folur me disa miq që janë shumë më të majtë se unë dhe mendonin se Kosova ishte vendi i fundit i kolonializuar. Si Algjeria dhe Maroku, që kanë pasur një pushtim të huaj. Gjithsesi është një anomali. Për mua nuk ka rëndësi nëse Kosova do të jetë e pavarur, do bashkohet me Shqipërinë, apo me Maqedoninë. Por besoj se nuk mund të ketë një jetë paqësore dhe demokratike nën Serbinë. Unë nuk përzihem me çështjet etnike dhe kombëtare të njerëzve, por ama nuk dua të ketë kampe përqendrimi, spastrime etnike, represion, etj. Nëse për Kosovën mund të gjendet një zgjidhje që minoriteti serb të qëndrojë atje, aq më mirë, por besoj se si për të gjithë popujt e tjerë, kosovarët kanë të drejtë të mos jenë nën peshën e Serbisë, sepse kjo për ta ka qenë një eksperiencë e tmerrshme.
Zoti Hassner, duke qenë se jeni specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare, çfarë të ardhme parashikoni për Ballkanin, në sensin e ndikimit të fuqive të mëdha. Këtu në Ballkan ekziston paranoja sikur gjithçka që ndodh është pasojë e ndërhyrjes së SHBA-ve, Francës, Rusisë, etj.?
Mendoj se është diçka e ekzagjeruar. Unë vetë jam me origjinë nga një vend që i përket edhe Ballkanit dhe Evropës Qendrore, Rumania, dhe mendohet se gjithçka ndodh si pasojë e komploteve të fuqive të mëdha. Unë e them gjithmonë se fuqitë e mëdha do të ishin më të lumtura sikur Ballkani të mos ekzistonte fare, sepse ka qenë një burim i vazhdueshëm shqetësimesh. Ballkani nuk është njëlloj me Arabinë Saudite. Por besoj se kjo është diçka anakronike. Nuk është se ka ndonjë gjë për të fituar për fuqitë e mëdha me përfshirjen e tyre në Ballkan. Ndoshta Rusia vazhdon të përzihet pak me serbët, por mendoj se ka një problem të dyfishtë në lidhje me integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian. Nga njëra anë, a janë gati vendet e Ballkanit, sepse edhe shtete si Bullgaria, apo Rumania, vendi im i origjinës, nuk kanë ende një sistem gjyqësor si duhet, ka shumë korrupsion. E gjithë kjo shkakton një efekt kthimi mbrapa, mendohet se mos ndoshta është zgjeruar shumë dhe shumë shpejt. Ndodh ajo që quhet lodhje nga zgjerimi.
Të kthemi përsëri tek personaliteti juaj. Kur erdhët në Shqipëri ju priste një surprizë. Presidenti i Shqipërisë ju akordoi medaljen për "Merita të veçanta të angazhimit tuaj në shërbimin civil" dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Si u ndjetë në lidhje me këtë?
U ndjeva shumë krenar, por edhe mendoja se nuk e meritoja, sepse gjërat nuk është se vareshin nga ne. Madje edhe në gjirin e Komitetit për Kosovën, unë kam qenë anëtar, kam qenë edhe zëvendëspresident në një moment ta caktuar, por nuk kam qenë themelues. Ndoshta do të ishte mirë që të dekorohej i gjithë komiteti, por meqë erdha vetëm unë, ma dhanë mua. Ndoshta është një homazh që i bëhet solidaritetit tonë për Kosovën. Unë nuk e njihja Shqipërinë, por kisha simpati edhe për çështjen shqiptare. Pra, e konsideroj medaljen si provë miqësie, nuk është se e kam merituar për ndonjë bëmë të madhe. Në Francë ekziston medalja "Legjioni i Nderit", e cila jepet për bëma të shquara ushtarake. Por më vjen mirë për medaljen, sepse më është dhënë për një çështje, të cilës i jam përkushtuar për 10 vjet, edhe pse nuk ishte ndonjë veprimtari e rrezikshme. Jam shumë i lumtur që ky angazhim ka pasur jehonë edhe në këto anë.
Pas angazhimit tuaj për Kosovën, çfarë mendoni për të dhe të ardhmen e saj?
Besoj se e ardhmja e Kosovës është evropiane, por në të njëjtën kohë mendoj që ky proces po shkon shumë ngadalë. Dëgjoja miqtë e mi kosovarë që thoshin se nuk mund të zhvillohemi, sepse jemi nën tutelë, etj., etj. Por do të shihni kur të jemi të pavarur. Dhe mendoj se zhvillimi është duke ardhur. Por si të gjitha vendet, edhe këtu ka një krizë demokracie, sidomos të demokracive të reja, pra mbetet shumë për t'u bërë. Tani nuk është më faji i serbëve, as i pjesës tjetër të botës, u takon vetë kosovarëve të ndërtojnë fatin e tyre.
Ju jeni përfaqësues i një brezi intelektualësh evropiane që është duke u zhdukur. çfarë mendoni për brezin e ri të intelektualëve? Ku ndryshon ai në raport me paraardhësit e tij?
është pak e vështirë për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, për më tepër që unë mund të flas për brezin tim, jo për tjetrin. Tani jam më pak në kontakt me studentët, pasi jam në pension që prej disa vitesh. Në kohën time, kur mbërrita refugjat nga Rumania në Francë, të gjithë kishin ide të majta, etj., kurse me kalimin e kohës njerëzit u bënë më pragmatikë, kërkonin të gjenin punë, etj. Shumë prozaike. A mund të kthehet një romantizëm i ri? Nuk di ç'të them në lidhje me këtë. Njerëzit nuk mund të jetojnë vetëm në pragmatizëm, por çfarë do të jetë ky romantizëm i ri? Shpresoj të mos jetë po aq i rrezikshëm sa të tjerët.
Jeni për herë të parë në Shqipëri, i ftuar nga Universiteti Evropian i Tiranës, për të marrë pjesë në një konferencë me temë "Shtetet e Bashkuara në arenën globale në shekullin e XXI". A mendoni se duhen shumëfishuar këto shkëmbime midis vendeve të "reja" evropiane dhe Evropës ?
Absolutisht. Kjo ka filluar që në vitet 1991, kur u shemb Bashkimi Sovjetik dhe ra muri i Berlinit. Unë gjithmonë kam pasur frikë se në momentin e takimit, dy Evropat do të zhgënjeheshin nga njëra-tjetra. Njëra palë do të thotë se nuk na pritën aq ngrohtë, pala tjetër do të thotë se ata janë më vonesë në disa gjëra, pra duhet absolutisht të shkojmë përtej kësaj. Ka pasur një moment kur bashkë me intelektualë të tjerë disidentë, si Adam Micnik, ne luftuam të gjithë në të njëjtin front kundër totalitarizmit dhe komunizmit, më pas kur ishte lufta në Irak, shumica prej nesh e kritikuam politikën amerikane, kurse intelektualët nga Evropa Lindore ishin pro Amerikës në Irak. Tani secili ka mendimet e tij në lidhje me Obamën, por është shumë e rëndësishme që ne të përballim reagimet tona edhe për çështje që nuk na prekin drejtpërdrejt, jo për evolucionin e Shqipërisë, Francës, Kosovës, etj., por për evolucionin e botës, sepse ne kemi formime dhe eksperienca të ndryshme. Tani që Evropa është e ribashkaur, nuk duhet të lejojmë të krijohet një hendek tjetër. Pra, sa më shumë kontakte të kemi, aq më mirë është.
Cilin prej librave tuaj do të dëshironit të shihnit të përkthyer në shqip për studentët dhe studiuesit shqiptarë?
Unë nuk kam bërë libra në kuptimin e vërtetë, por kam botuar përmbledhje artikujsh. Kështu që mund të zgjidhet midis tyre, por po mendoj për të parafundit "Terrori dhe Perandoria", ose për atë që po përgatit tani ku do të ketë më shumë aktualitet. Sepse unë gjithmonë përziej idetë filozofike me aktualitetin, për shembull ngjarjet frymëzuar nga bomba atomike, terrorizmi, etj.
A mund të na tregoni në lidhje me takimet tuaja me shqiptarë në Paris?
Unë kam takuar më tepër shqiptarë nga Kosova se nga Shqipëria. Kam takuar ish-ministrin tuaj të Punëve të Jashtme, që ishte ambasadori juaj në Paris. Njoh edhe ambasadorin aktual të Kosovës në Paris, i cili ka qenë në Komitetin e Kosovës dhe është një profesor filozofie, Muhamedin Kullashi.
Po Kadarenë?
Kadarenë e kam takuar në Komitetin për Kosovën, jam një admirues i librave të tij, por nuk e njoh mirë, se e kam takuar dy herë në jetën time. Kam njohur edhe një shkrimtar tjetër shqiptar, Musa... nuk më kujtohet mbiemri. Në kohën e Komitetit për Kosovën, hynin e dilnin shqiptarë çdo ditë, por tani takoj vetëm Muhamedin Kullashin.
Përktheu: Blerta Hyska