Trofeu në Spanjë

Përfaqësuesja U21 e Spanjës është kampion i ri i Evropës. Spanjollët të shtunën mbrëma e mposhtën me rezultat 2:0 reprezentacionin e Zvicrës – për të cilin luajnë pesë futbollistë shqiptarë – në finale të Kampionatit evropian U21, i cili u mbajt në Danimarkë.
Helvetikët - të prirë nga ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri dhe sulmuesi i Zurichut, Admir Mehmedi - nuk arritën t’i bëjnë ballë siç duhet ekipit rival për titull të kampionit, i cili ishte i përbërë me emra të njohur të futbollit spanjoll.
‘Stuhia e Kuqe’ dominoi në posedim të topit gjatë pjesës së parë, por edhe zviceranët luajtën mjaft mirë gjatë kësaj pjesë-loje. Megjithatë, spanjollët ia dolën që në minutën e 41-të të kalojnë në avantazh prej 1:0. Këtë gol e realizoi me kokë Ander Herrera, i cili nuk ishte i mbuluar mire nga mbrojtësit helvetikë.
Mirëpo, më herët zviceranët për pak sa nuk shënuan nëpërmjet yllit kosovar, Xherdan Shaqiri, por gjuajtjen e fortë të tij e ndali portieri De Gea.
Spanjollët mirë e kontrollonin lojën gjatë pjesës së dytë, derisa zviceranët bënin gabime të shumta në mesfushë. Megjithatë, këta të fundit, të udhëhequr nga Shaqiri, bënin përpjekje për të t’i barazuar shifrat, por nuk ia dilnin t’i konkretizonin rastet që krijonin.
Ndërsa, reprezentacioni i Spanjës pa nguti përpiqej ta shënonte edhe golin e dytë. Këtë ‘Stuhia e Kuqe’ ia doli ta bëjë në minutën e 81-të, kur e dyfishoi epërsinë në 2:0. Këtë gol e realizoi ‘dinakërisht’ Thiago Alcantara, i cili nga gjuajtja e lirë e zuri të papërgatitur për të intervenuar portierin zviceran Sommer, të cilin e paragoloi.
Në këtë mënyrë ndeshja u përmbyll me rezultat 2:0, pasi deri në fund zviceranët nuk ia dolën të bëjnë diçka më tepër.
Për Zvicrën në këtë takim titullarë ishin dy kosovarët, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka dhe shqiptari tjetër nga Maqedonia, Admir Mehmedi. Ky i fundit mirë luajti, por mesfushorët nuk ia dilnin ta furnizonin me topa. Ndërsa, në minutën e 54-të në lojë është inkuadruar edhe futbollisti tjetër kosovar, Amir Abrashi, i cili e zëvendësoi Fabian Frei. Kurse, shqiptari tjetër nga Maqedonia, Pajtim Kasami u inkuadrua në minutën e 67-të në vend të Xhakës. Madje, Kasami pati një rast të mirë për të shënuar, por gjuajtja e tij shkoi jashtë portës.
Sido që të jetë, arritja deri në finale është një sukses i madh për Zvicrën. Dhe merita mjaft të mëdha në këtë arritje të helvetikëve padyshim se kanë pesë futbollistët shqiptarë. Deri sa mbërriti në finale, Zvicra i kishte zhvilluar katër ndeshje dhe në të gjitha ato kishte shënuar fitore pa pësuar asnjë gol. Kurse, prej katër ndeshjeve të para, spanjollët i kishin shënuar tri fitore dhe njëherë kishin barazuar. Admir Mehmedi i ka shënuar tri gola në këtë eveniment, derisa Shaqiri e kishte realizuar një gol, por ishte më i dalluari te helvetikët.