Kanabis, policia zbulon dy parcela me bimë narkotike
PËRMET- Operacionet antikanabis janë rikthyer sërish në rrethin e Përmetit. Dy parcela ku ishin kultivuar bimë narkotike janë asgjësuar ditën e djeshme, ndërsa kultivuesi është shpallur në kërkim. Parcelat janë evidentuar vetëm tri ditë më parë, gjatë monitorimit që territorit të qarkut Gjirokastër iu bë me helikopter. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se aksioni i radhës është përqendruar për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër në fshatin Miçan të komunës Frashër në rrethin e Përmetit. "Në fshatin Miçan, në afërsi të lumit Osum, u bë i mundur evidentimi i dy parcelave të hapura rishtas për të kultivuar bimë narkotike ku ishin të mbjella 480 rrënjë bimë të dyshuara si kanabis sativa, të cilat varionin nga 1,5 - 3 metër të larta.
Në parcelën e parë kishte 152 rrënjë dhe në parcelën e dytë kishte 280 rrënjë bimë kanabis sativa. Në momentin që policia ka konstatuar parcelën, autori i kultivimit të bimëve narkotike nuk u gjet në parcelë. Për disa ditë rresht parcelat janë mbajtur nën vëzhgim nga shërbime të fshehta të policisë, por autori nuk ka shkuar atje. Ndodhur në këto kushte nga ana e policisë është bërë asgjësimi i bimëve narkotike", kanë bërë të ditur burimet zyrtare të policisë në lidhje me këtë aksion. Pas asgjësimit të bimëve narkotike, policia ka shpallur në kërkim edhe autorin e këtij rasti kultivimi, identifikimi i të cilit u bë i mundur në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, si dhe provave të gjetura në vendngjarje. Mësohet se autori është banor i një fshati aty pranë, por të dhënat e tij nuk bëhen publike.