E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka: Reforma në gjyqësor, me rëndësi për integrimin në BE

TIRANE - Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi theksoi domosdoshmërinë që sistemi gjyqësor në vend të fitojë besimin e publikut, në mënyrë që “marrëdhënia gjyqësor-publik të mos i ngjajë më një martese në krizë.”

Gjatë fjalës së tij në konferencën e zhvilluar me kryetarët e gjykatave, ministri Halimi deklaroi se transparenca dhe dixhitalizimi i sistemit gjyqësor janë imediate për fitimin e besimit.
“Drejtuesit e zotë personifikojnë misionin dhe fytyrën e një gjykate. Gjyqësori sot nevojë urgjente të fitojë besueshmërinë. Do vendoset audio dhe video në çdo gjykatë.”- deklaroi ministri Halimi.

Të pranishëm në konferencë ishin edhe ambasadorët e BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së në vendin tonë. Ambasadorët nënvizuan se reforma në gjyqësor është e rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian por edhe për thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Ata gjithashtu kërkuan një administrim më të mirë të sistemit të drejtësisë. 

Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, deklaroi se sallat e gjyqeve janë kritike për funksionimin e gjyqësorit.
“Sallat e gjyqeve janë kritike për funksionimin e demokracisë edhe pse janë bërë përparime duke instaluar aparatura regjistrimi për të përmirësuar transparencën”,theksoi Arvizu, i cili shtoi se, “qytetarët duhet të kenë besueshmëri të plotë se do të marrin gjykim të barabartë përpara ligjit. Në fakt në një demokraci qytetarët duhet të kenë besim se sistemi drejtësisë është i verbër për mënyrën sesi funksionojnë interesat”. 

Sipas tij, investuesit e huaj duhet të gjejnë një vend me kornizë ligjore të mirë që garanton transparencën. “Investuesit e huaj duhet të gjejnë në vend një forcë punëtore të arsimuar, duan një kornizë ligjore të mirë dhe që garanton transparencën dhe që garanton përparësi në sistemin gjyqësor”, shtoi Arvizu.
“Shqipërisë i nevojitet të bëjë çdo gjë që mundet për të siguruar transparencën. Është absoltisht jetike që të bëjë përparim në refomat ligjore dhe gjyqësore, në mënyrë që të bëjë biznes”. 

Duke folur mbi çeljen e zyrave të kompanisë amerikane 3M, Arvizu u shpreh se biznesmenët amerikanë vlerësojnë se taksa e sheshtë është tepër tërheqëse për investitorët e huaj.
“Investitorët amerikanë shohin se korniza ligjore, mjedisi ligjor është një pikë mjaft e rëndësshme për investitorët e huaj. Transparenca, paanshmëria, cilësia e sistemit gjyqësor është mjaft e rëndësishme për biznesin”, tha Arvizu. 

Ndërsa amabasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi theksoi se reforma në gjyqësor është kryereforma për integrimin në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, institucionet e forta garantojnë shtetin e së drejtës, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të trajtojë seriozisht çështjen e korrupsionit dhe nevojën për të hequr imunitetin. 

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth shtoi se reforma gjyqësore nuk mund të kryhet pa një partneritet mes institucioneve.
“Reforma në drejtësi duhet të bëhet me partneritetin mes gjykatave, KLD-së, qeverisë, Parlamentit”, theksoi Wollfarth, duke përshëndetur reformat ë bëra deri tani. 

“Megjithatë nevojiten përpjekje ende të mëdha nga të gjithë aktorët për të përmirësuar. Asistenca për reformën gjyqësore ka qenë një nga detyrat kryesore të Prezencës në Shqipëri”, tha Wollfarth.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›