Trojka kushte te renda Greqise
Fundjavë deçizive për ekonominë greke dhe për qeverinë e Lukas Papadhimos. Trojka ndërkombëtare në një letër drejtuar Kryeministrit i ka kërkuar ndër të tjera një reduktim të subvencioneve për pensionistët, liberalizim të të gjitha profesioneve të mbylluara dhe ndryshime rrënjësore në sektorin privat siç është heqja e marrëveshjes së kontratave kolektive të punës, heqja e pagës së 13 dhe 14 mujore, më shumë elasticitet punësimi, reduktime të punonjësve në sektorin publik dhe atë bankar dhe një plan për luftën kundër korrupsionit. Të gjitha këto janë kushti që Greqisë t’i jepet kredia e re me 130 miliardë euro e vendosur në samitin europian të 26 tetorit të kaluar. Ndër të tjera parashikohet që takimi në program i fundjavës mes Papadhimos dhe liderëve të tre partive që mbështesin qeverinë e tij, të zhvillohet në një klimë të rëndë pikërisht edhe për shkak të kërkesave të forta të kreditorëve ndërkombëtarë të vendit. Sipas informacioneve mediatike greke, mësohet se kryeministri, Papadhimos, i cili u ka paraqitur partive politike letrën e Trojkës, synon tu kërkojë liderëve të partive të bien dakord mbi përmbajtjen e letrës dhe u ka theksuar se koha e vënë në dispozicion të qeverisë për të trajtuar këto çështje nuk është e mjaftueshme ndërkohë që presionet e FMN-së dhe BE mbeten të forta, kryesisht përsa i takon çështjes së reduktimit të pagave. Pas takimit të mbrëmjes së të enjtes, me kreun e Institutit Financiar Ndërkombëtar, Dallara, Papadhimos ka folur për progrese në marrëveshjen me kreditorët, duke shtuar se çështjet tashmë janë vetëm të karakterit teknik dhe legal.