E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat europiane e kane perballuar krizen

Tregjet e bonove sovrane kanë qenë motorri më i rëndësishëm që ka nxitur qeveritë të bëjnë reforma dhe vendet anëtare të Eurozonës kanë bërë progrese të dukshme në luftën ndaj krizës. Ka qenë ky konstatimi i Guvernatorit të BQE-së, Mario Draghi në FED. Gjithsesi presidenti i bankës ka nënvizuar domosdoshëmrinë e rikthimit të besimit në tregjet financiare. BQE ka ndihmuar përmes kredidhënies në shmangien e krizës së madhe të kreditit.
“Bankat sot kanë më shumë kapital dhe më pak borxhe, janë më mirë të shëndetshme se në periudhën e krizës dhe kanë aplikuar rregulla mbi menaxhimin e rrezikut sa më efikas. Sot po shohim rezultatet. Dy vitet e fundit kanë qenë nga këndvështrimi financiar të qetë dhe stabël dhe sistemi financiar është rezistent”, u shpreh Draghi.
Për presidentin e institutit më të lartë financiar europian reduktimi i interesave të bonove qeveritare është një shenjë pozitive, pavarësisht se tensionet në tregjet ndërbankare ende nuk po tregojnë se sistemi po i kthehet funksionimit të rregullt. “Kjo vihet re edhe në mungesën e besimit të bankave europiane në huadhëniet mes tyre”, ka thënë Draghi.
Kështu në vlerësimin e tij “Eurozona po bën hapa të dukshme në përpjekje për zgjidhjen e krizës së borxhit Sovran. Progreset janë të dukshme nëse mendojmë se pesë muaj më parë eurozona ishte një tjetër botë. Por mendoj se është akoma herët për të parë impaktet mbi ekonominë reale”.
Gjithsesi ka deklaruar Draghi në Forumin ekonomik të Davosit, se për të arritur në një stabilitet të eurozonës është i nevojshëm krijimi i besimit mes vendeve të ndryshme dhe pikërisht këto duhet të jenë të parat ta rimëkëmbin konsolidimin fiskal.
Por shefja e FMN, Christine Lagarde nuk është edhe aq optimiste mbi progreset e Europës.
“Europianët duhet të bëjnë edhe më shumë se sa kanë vepruar deri tani për të ndihmuar njëri tjetrin. Edhe Komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndihmojë, kjo është edhe arsyeja pse unë po shëtis përreth botës për të mbledhur fonde për të plotësuar aftësitë tona të financimit për partenrët tanë nëse gjërat do të përkeqësohen. Shikoni SHBA dhe Japoninë, edhe ata duhet të bëjnë dicka, për të treguar se kanë një objektiv afat mesëm në reduktimin e borxheve të tyre dhe për t’i bërë cështjet publike më të ekuilibruara dhe të qëndrueshme”, vuri në dukje ajo.
Lagarde ka theksuar se FMN nuk është optimiste mbi atë çka ndodh për shmangien e krizës në greqi. Ajo ka mbetur e pakënaqur nga propozimet e bëra deri tani nga bankat kredituese për Greqinë në negociatat për reduktimin e borxhit. Gjithsesi ajo ka përshëndetur faktin se palët synojnë të vijojnë bisedimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›