E Diel, 1 Nëntor 2026

Tronditet Italiavetëm barazim meZelandën e Re

JOHANESBURG- Italia ka pësuar një nga tronditjet më të mëdha në historinë e saj futbollistike, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Zelandës së Re, në ndeshjen e dytë të grupit F. Një pasdite katastrofë për kampionët e botës, që nuk arritën të fitonin as ndaj asaj që konsiderohet si skuadra më e dobët e këtij Botërori. Në një ndeshje tepër emocionuese, futbollistët gjysmë amatorë të Zelandës së Re meritojnë notat më të larta për zemrën dhe besimin e treguar në fushën e lojës, ndërkohë që për skuadrën e Lipit nuk ka më asnjë justifikim. 

Pas dy ndeshjes në grupin më të lehtë të Kupës së Botës, Italia ka vetëm 2 pikë dhe tashmë i duhet të fitojë ndaj Sllovakisë për të kaluar turin. Askush nuk e mendonte përpara fillimit të ndeshjes se neozelandezët do të merrnin një pikë, por në fund ëndrra e tyre është bërë realitet. Madje, futbollistët e Zelandës mund të ankohen se gjyqtari iu dha kundër një penallti shumë bujare, që çoi në barazimin e rezultatit. Përsa i përket ndeshjes, ajo nisi menjëherë me gol për skuadrën nga Oqeania. Pas një goditje dënimi nga larg zonës, topi u devijua nga një lojtar i Zelandës, më pas u prek nga Kanavaro dhe aty Smelc e dërgoi në rrjetë. Një moment i pabesueshëm për të pranishmit në stadium. Por, gjyqtari francez Lanua akordoi një penallti në minutën e 28-të, të cilën Vinçenco Iakuinta e shndërroi në gol. Italia pati më shumë se një orë kohë për të arritur fitoren, por në fushën e lojës ajo ka zhgënjyer totalisht, duke mos ndërtuar dot aksione të rrjedhshme, që do të thyenin mbrojtjen neozelandeze. 

Madje, mundësinë më të mirë në pjesën e dytë e pati Zelanda, por goditja e Smelc përfundoi ngjitur me shtyllën. Kamoranezi tentoi me një gjuajtje nga larg pak minuta para fundit, por portieri Paston grushtoi, duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Drama e Italisë përfundoi pas gati 5 minutash shtesë, të cilat nuk sollën asgjë. Kampionët e botës janë pranë shkurorëzimit, ndonëse shorti i vendosi në grupin më të lehtë të kësaj Kupe Bote
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rezultatet live ne faqen e FIFA-s Paraguaj mposht 2-0 Sllovakine

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›