E Diel, 1 Nëntor 2026

Tropojë, HEC-i mbetet peng i shpronësimeve

Në shumë zona, kompanitë ndërtuese kanë “preferuar” të mos i shpronësojnë banorët për tokën që pritet t’u zënë, çka ka sjellë shpesh herë edhe përplasje dhe konfrontime fizike midis banorëve dhe policisë. Rasti më i fundit, ku firma ndërtuese nuk pranon të shpronësojë tokën e banorëve, është ajo në fshatin Kocanaj të komunës Margegaj në Tropojë.

Ndërtimi i hidrocentralit të Kocanajt i është dhënë me koncension një firme italiane, por për ndërtimin e tij nuk ka miratuar lejen e ndërtimit as këshilli komunal për shkak të konflikteve të banorëve me firmën e  ndërtimit, thotë ai.

“Ende nuk janë zgjidhur problemet e pronësisë dhe banorët e fshatit nuk kanë gjetur mirëkuptimin me firmën ndërtuese, ndërsa vazhdojnë përsëri bisedimet”, thotë kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj. Firma italiane duke parë konfliktet e vazhdueshme me banorët vendas  si zgjidhje ka gjetur dhënien  e koncensionit të  ndërtimit të hidrocentralit firmës vendase  “Tpla” si nënkontraktore, por përsëri ende nuk është gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Konflikti qëndron në humbjet që pësojnë banorët e fshatit Kocanaj si rrjedhojë e ndërtimit të hidrocentralit, pasi dëmtohet tërësisht kanali ujitës që e kanë ndërtuar vetë e që mundëson ujitjen e mbi 200 ha tokë bujqësore. Kjo pasi edhe projekti i ndërtimit të hidrocentralit është bazuar mbi shfrytëzimin e këtij kanali ujitës.  Por kanali është ndërtuar  nga vetë banorët e fshatit shumë vite më parë dhe  është shfrytëzuar prej tyre deri në vitet ’60.

Më pas  është  vënë në kontroll nga shteti  dhe është shfrytëzuar nga kooperativa deri në fillim të viteve ’90.  Me fillimin e proceseve demokratike banorët e fshatit sërish e përdorin atë për ujitjen e të mbjellave të tyre  dhe nuk lejojnë tjetërsimin e tij. Është kjo arsyeja që vazhdon të zvarritet  fillimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentralit që ka një kosto prej 274  milion lekësh. /Start/

                                                                                             2012-04-15 09:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›