E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë-Plavë, gati marrëveshja për shkurtimin e rrugës

Projekti Një pikë e re kufitare, por mungon infrastruktura

Në Podgoricë të Malit të Zi janë takuar delegacionet e policisë kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në përbërje të këtij delegacioni kanë qenë edhe drejtues të kufirit të rajonit të Kukësit, të cilët kanë në vartësi një pjesë të kufirit me Malin e Zi në zonën e Tropojës. Drejtori rajonal i policisë kufitare për Qarkun e Kukësit, Agron Baliaj, ka bërë të ditur për mediat e Kosovës se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërkufitare në mes dy shteteve, ku palët në takim kanë konkluduar se këto marrëdhënie janë shumë të mira dhe me një partneritet reciprok.

Sipas drejtorit të kufirit për rajonin e Kukësit, gjatë vitit 2010 nuk është shënuar asnjë incident kufitar. Ndërkohë që palët kanë rënë dakord për hapjen e vendkalimit të ri kufitar që do të lidhë Tropojën me Plavën e Malit të Zi.

“Palët kanë rënë dakord për hapjen e pikëkalimit kufitar në Qafë të Vranicës në zonën e Qeremit, që do të lidhë Tropojën me Plavën e Malit të Zi. Kanë përfunduar bisedimet në nivel teknik, ndërkohë që i mbetet politikës për të vendosur për hapjen e kësaj pike”, deklaroi drejtori i kufirit për rajonin e Kukësit, Agron Baliaj.

Burime nga Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë bëjnë të ditur se do të jetë fundi i muajit gusht afati përfundimtar për hapjen e pikës së re të kalimit kufitar Qafë e Vranicës–Plavë. Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë ka kryer që në fillim të vitit 2006, studimin përkatës për hapjen e pikës së re të kalimit kufitar çerem-Plavë, ndërkohë që dokumentacioni i është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për të zhvilluar bisedime në nivel politik mes Shqipërisë e Malit të Zi, që do të çonin në hapjen e këtij vendkalimi.

Por mungesa e infrastrukturës ka penguar hapjen e këtij vendkalimi. Punimet për ndërtimin e rrugës Kthesa e çeremit-Qafë-Vranicë, kanë filluar që në vitin 2005, por janë ndërprerë disa herë si për mungesë fondesh, por edhe për shkak të kushteve të rënda atmosferike, të cilat kanë shkaktuar shembje të herëpashershme të trasesë së rrugës. Kjo rrugë ka një gjatësi prej 7 kilometrash dhe në bazë të projektit ka një kosto prej 1.6 milionë eurosh.

Për të shkurtuar shpenzimet e kësaj rruge, punimet e gërmimit në trasenë e saj nga Kthesa e çeremit deri në Qafën e Vranicës, ku është llogaritur të jetë pikëkalimi kufitar me Malin e Zi, janë kryer nga forcat e xhenios të ushtrisë shqiptare.

Kryetari i Komunës së Margegajve, Rexhë Biberaj, thotë se rruga nga Kthesa e çeremit deri në Qafë të Vranicës ka përfunduar plotësisht, ku janë hedhur të gjitha shtresat e çakllit në pritje për t’u asfaltuar, por sipas kryekomunarit asfaltimi ka gjasa të mos realizohet për këtë vit për mungesë fondesh.

Kryekomunari i Margegajve ka theksuar rëndësinë e madhe që ka hapja e kësaj pike të re të kalimit kufitar për banorët e komunës së thellë të Margegajve, për Tropojën, por edhe për mbarë Malësinë e Gjakovës. “Ndërtimi i rrugës do t'i jepte një hov të madh zhvillimit të turizmit, blegtorisë, mbledhjes dhe përpunimit të bimëve etero-vajore etj. Ndërkohë që hapja e pikës kufitare me Plavën e Malit të Zi do t’i shërbejë të gjithë Malësisë së Gjakovës, ku një pjesë e popullsisë së Tropojës gjatë verës dalin në bjeshkë për verim me bagëtitë.

Midis zonës së Malësisë së Gjakovës dhe Plavës e Gucisë në Malin e Zi ekzistojnë lidhje gjaku të hershme dhe miqësi të reja, kështu që të dyja palëve u duhet të udhëtojnë rreth 250 kilometra rrugë nga Rozhaja apo Hani i Hotit për të mbërritur në Tropojë, ndërkohë rruga përmes Luginës së Valbonës nuk është veçse 45 kilometra", thekson kryetari i Komunës së Margegajve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›