E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN-qeveri, debate për rritjen ekonomike

Marrëdhëniet midis qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar duken tejet të acaruara, tashmë kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga fundi i mandatit.

Rritja e pagave dhe pensioneve, deficiti buxhetor, referencat mbi disa taksa, etj, kanë qenë gjatë 2008-ës cështjet më të debatuara, por që në fund kanë marrë njëfarë mirëkuptimi mes palëve.

Kësaj here duket më e vështirë. Prej kohësh, qeveria, në deklaratat e saj rreth gjendjes ekonomike në vend, pretendon për një rritje dyshifrore, edhe pse institucioni zyrtar i statistikave, INSTAT, deklaron një rritje rreth 6 për qind.

Këto shifra i takojnë 2008-ës, ndërkohë që debatet me FMN-në janë përqendruar te parashikimi për 2009-ën. Ekspertët e Fondit Monetar vlerësojnë se kriza financiare në shtete të mëdha ekonomike do të japë ndikimin e saj edhe në Shqipëri.

Si rrjedhojë, nga analiza e FMN-së rezulton se rritja ekonomike për 2009-ën do të ngadalësohet, ndërsa niveli do të shënojë 3.7 përqindëshin. Por qeveria nuk e pranon këtë variant, duke hedhur poshtë parashikimin.

Se cili do të jetë niveli i rritjes ekonomike në Shqipëri për 2009-ën, shifra do të mësohet sot, kur Ministria e Financave, së bashku me Bankën e Shqipërisë, do të zhvillojnë një takim me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Pas takimit, palët do të dalin me një qëndrim zyrtar të tyrin. Po sot, do të mësohet edhe kursi që do të ndjekë qeveria ndaj marrëveshjes me FMN-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›