E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Gjirokastrës, rrezikon shembjen një pallat në Vlorë

Pas Gjirokastrës, rreziku duket evident edhe në Vlorë. Një pallat i ndërtuar në vitin 1979, rrezikon seriozisht shembjen duke sjellë masakër për 30 familjet që jetojnë aty. Shkak i krisjeve të panumërta në pallat janë bërë punimet për ndërtimin e një pallati ngjitur.
SEANCA E SOTME PARLAMENTARE
FOTOT E PALLATIT TE KRISUR
PAMJE NGA PALLATI I KRISUR
 

VLORE- Pas Gjirokastrës, rreziku duket evident edhe në Vlorë. Një pallat i ndërtuar në vitin 1979, rrezikon seriozisht shembjen duke sjellë masakër për 30 familjet që jetojnë aty. Shkak i krisjeve të panumërta në pallat janë bërë punimet për ndërtimin e një pallati ngjitur, e njëjta situatë si në Gjirokastër, nga ku dolën të vdekur tre persona dhe rrezikuan seriozisht jetën edhe 60 të tjerë.

Pallati në Gjirokastër, tragjedia e djeshme

Pas hetimeve paraprake ka rezultuar se shembja e pallatit ka ardhur si pasojë e punimeve për ndërtimin e një pallati 8 kate nga shoqëria “Arti shpk” me president dhe drejtues teknik Sotiraq Janora me seli në Gjirokastër, dhe po nga dëmtime rrezikohen të dëmtohen edhe disa banesa të tjera në kufi me objektin në ndërtim.
Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 20 persona të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje. Nga hetimet paraprake rezultoi se nga personat e dyshuar 8 prej tyre kanë konsumuar veprën penale të “shkeljes së rregullave në punë”. Në prangat e policisë përfundoi Alfred Mamani, me detyre Shef i Urbanistikes në bashkinë e qytetit, Admir Shehaj me detyrë përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashki, Afërdita Papamihali me detyrë sekretare e KRRT pranë kësaj bashkie. Tre të arrestuarit akuzohen për “shpërdorim detyre” . Në njoftimin e policisë informohet se janë arrestuar në flagrancë Jani Ndrico, me kombesi greke e shtetësi shqiptare, eskavatorist në firmën “Arti Sh.p.k”, Thanas Llahana, me kombësi greke e shtetësi shqiptare, inxhinier gjeolog pranë kësaj firme, Njazi Cobani artitekt i shoqërisë së ndërtimit ARTI shpk, Luan Bufi, me profesion inxhinier ndërtimi i ARTI shpk dhe Sotiraq Janora, me kombësi greke e shtetesi shqiptare, president dhe drejtues teknik i shoqërise së ndërtimit “ARTI” shpk. Punonjësit e firmës Arti akuzohen për shkelje të rregullave në punë. Policia njofton se janë shpallur në kërkim Gjergji Mece inxhinier ndërtimi i Arti shpk dhe Aristotel Haxhi bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit ARTI shpk.

Rrefimi i të mbijetuarit

Pakkush mund të identifikonte në ato çaste ata që po dilnin nga gërmadhat e pallatit të rrëzuar mes ulërimave dhe thirrjeve për ndihmë, përveçse ata që dalloheshin nga gjaku që ende u rridhte nëpër plagë. Dikush nxitonte të dërgonte të plagosurit në spital, e dikush tjetër mendonte si të nxirrte nga gërmadhat ata që ende ishin në "malin" me gurë e beton. "Shpëtoni fëmijët, shpëtoni fëmijët, bo bo ç'më gjeti mua, korba unë!", - ulërinte një grua e moshuar që ndonëse ishte gjakosur nëpër duar, tentonte të futej në gërmadha. Vonë mësuam se kishte brenda nipërit, që ndonëse me plagë, fatmirësisht i shpëtuan vdekjes.
Një prej atyre që panë e përjetuan ankthin e vdekjes, është dhe Maksim Braho. Pak kohë pasi e ka marrë veten disi, ai rrëfen për gazetën ato që pa dhe përjetoi: "Nuk kuptova se ç'po ndodhte në fillim, m'u duk si tërmet. Nuk kishte kohë as të dilje nga dhoma, se gjithçka ndodhi shumë shpejt. Pashë mënjanimin e mureve, fasadës e fundosjen në çast të pallatit. Ndodhi për 2-3 minuta gjithçka e unë isha jashtë… U bë pluhur e tym sa të asfiksonte. Dëgjoja ulërima, të qara e thirrje për ndihmë. E kam ende në vesh një zë femre që fliste e kërkonte ndihmë me zë të mekur. Isha nisur drejt gërmadhave, se brenda kisha nënën e sëmurë dhe 2 vajzat binjake, 8-vjeçe. Por më mbanin… Kishin mbetur në korridorin e rrënuar, por fatmirësisht kishin mbetur gjallë. Ç'farë t'u them tjetër!! Ka njerëz nën rrënoja, ka njerëz që kërkojnë ndihmë, por nuk mund t'u jepet. Dhe të mbijetuarit kanë mbetur me plaçkat e trupit, humbën shtëpitë, humbën paratë…"
Ndërsa pedagogu S. Papadhopulli, banor i këtij pallati thotë se fatmirësisht, ai ishte pak metra larg shtëpisë ato momente. "Do futesha brenda të punoja diçka në katin e tretë të pallatit ku jetoj. Gruaja nuk ishte aty, në mëngjes u nis për në Greqi. Dëgjova në fillim një krisje të zhurmshme, më pas zhurmë dhe pallatin që po fundosej, pikërisht ajo anë ku unë kam shtëpinë. M'u duk njëlloj si ajo që pamë nëpër ekrane në shembjen e kullave binjake. Më pas panik, njerëz që ulërijnë, tmerr", - pohon ai. Prefektura e Gjirokastrës ka siguruar akomodimin e familjeve të dëmtuara në konviktin e djemve të Universitetit “Eqerem Çabej”, pavarësisht se duket se disa prej familjeve kanë preferuar të qëndrojnë tek të afërmit e tyre.

(o.zh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›