Tropojë, pallati në prag shembjeje rrezikon banorët
RREZIKU/ Prej vitesh pallati 5-katësh është i pabanuar, por ende nuk ka fonde për të realizuar shembjen e tij
TROPOJË- Para disa vitesh në qytetin "Bajram Curri", lagja "Partizani", si rezultat i vendosjes së eksplozivit në një pallat 5-katësh, kjo ndërtesë u vlerësua si e pabanueshme nga ekspertët. Ndërkaq, banorët u larguan nga pallati duke marrë edhe dëmshpërblimin sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave.
Mirëpo, teksa kalojnë vitet, pallati i cili nuk banohet, po amortizohet çdo ditë e më tepër, duke iu çarë muret, shtrembëruar dyert e dritaret në kate, duke iu deformuar soleta. Gjatë kësaj kohe, askush nuk po kujtohet për të marrë masa për shembjen e tij, ndërkohë që jeta e banorëve që jetojnë pranë këtij pallati, e sidomos e fëmijëve që luajnë çdo ditë në rrënojat e tij, po rrezikohet.
Aq më tepër ky rrezik shtohet për faktin se ndërtesa ndodhet në rrugën kryesore të lagjes "Partizani". Shiqeri, banori më i afërm, shprehet se çdo ditë e më tepër rrezikohet shembja e këtij pallati, kurse Lulzimi sqaron se çdo vit i është kërkuar këshillit të bashkisë që të merren masa, por deri më tani kërkesat e tyre nuk kanë gjetur zbatim.
"Duhet patjetër të ndërhyhet sa më shpejt, sepse nesër mund të jetë shumë vonë",- shprehet i shqetësuar një tjetër banor, teksa përmend faktin se fëmijët luajnë çdo ditë përballë këtij pallati dhe ata nuk mund t'i ruajnë gjithë kohës.
I pyetur lidhur me këtë fakt, Riza Doçi, punonjës i bashkisë, shprehet se vit pas viti ata kanë kërkuar fonde për shembjen e këtij pallati, duke paraqitur edhe preventivin përkatës, por nuk është miratuar.
Sipas specialistëve të ndërtimit, ka qenë parashikuar që dy kate të pallatit të shembeshin, ndërsa tri katet e para të rikonstruktoheshin për t'u përdorur më pas për të pastrehët. Ata thonë se u është premtuar se në buxhetin shtesë për 6-mujorin e dytë do të jetë një fond i tillë, megjithatë, ende s'ka asgjë të sigurt.