E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betonierja vret kalimtaren në semafor

Aksidenti i rëndë ndodhi dje pasdite në qendër të kryeqytetit, kur një grua përfundoi nën mjetin e rëndë


Policia arreston drejtuesin e mjetit, ndërsa dyshohet se viktima i ka ndërprerë rrugën

TIRANË- Autobetonierja vret këmbësoren në qendër të kryqytetit, pas ndërprerjes së rrugës . Aksidenti i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e një gruaje rreth moshës 60 vjeç, ndodhi dje në orën 17:30 në bulevardin "Gjergj Fishta", pranë zonës së Shallvareve.


Gruaja, e cila nuk u arrit të identifikohej nga policia deri në orët e vona të mbrëmjes, u shtyp nga një automjet i tonazhit të lartë, tip "Scania" me targa TR 7543 I, në momentet që po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin në kryqëzim.


Ngjarja


Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se rreth orës 17:30 në momentin që semafori në kryqëzimin e bulevardit "Gjergj Fishta" me Shallvaret ka kaluar nga i kuq në jeshil për automjetet, një grua rreth të 60-tave është gjendur nën rrotat e njërës prej makinave që ndodheshin në rreshtin e parë.


Automjeti tip betoniere ka kaluar mbi kokën e viktimës, e cila nuk ka pasur mundësi për mbijetesë, ndërsa drejtuesi i makinës është ndalur menjëherë dhe po kështu edhe të gjitha automjetet që ndodheshin në atë moment në kryqëzim.


Ngjarja është parë nga dhjetëra njerëz të pranishëm në vendngjarje, të cilët kanë mbetur të tmerruar nga skena e zhvilluar para syve të tyre. Policia mbërriti rreth 10 minuta më pas, ndërsa drejtuesi i automjetit qëndroi për pak kohë i ulur në buzë të rrugës, në trotuar. Përplasja fatale për gruan ka sjellë shpërfytyrimin e saj, ndërsa viktima është dërguar në morg, ku pritet të identifikohet nga familjarët.


Hetimi


Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, uniformat blu rrethuan zonën, teksa nuk lejuan personat që të afroheshin për të parë se ç'kishte ndodhur. Në polici u bë shoqërimi i drejtuesit të betonieres, Dashamir Duni.


Nga hetimet paraprake rezulton se shkak për aksidentin ka qenë lëvizja e gabuar e viktimës, e cila ka tentuar kalimin nga njëra anë e rrugës në tjetrën, pavarësisht semaforit të kuq për këmbësorët. Për të zbardhur më tej ngjarjen, blutë përveç drejtuesit të automjetit kanë shoqëruar dhe disa dëshmitarë, shitës ambulantë, të cilët kanë qenë të parët që kanë parë aksidentin.


Si pasojë e aksidentit, trafiku në zonën e Shallvareve u rëndua. Në Tiranë, në muajin qershor dhe në gjysmën e parë të korrikut, janë shënuar një numër i madh aksidentesh automobilistike, ku në shumicën e rasteve kanë qenë shoferët shkaktarë.


Dëshmitarët: Gruaja poshtë betonieres


Dëshmitarët e aksidentit treguan se viktima është nisur të kalojë në krahun tjetër të rrugës në urën e madhe që ndodhet përballë "Parkut Rinia", kur është goditur nga makina në pronësi të një firme private të betonit. "Unë isha ulur përballë vendit të aksidentit, kur pashë makinën që sapo u nis.


Por makina nuk bëri as tre metra dhe ndaloi, ndërkohë që këmbësorja kishte përfunduar poshtë gomave të saj, - tregon një shitëse ambulante, dëshmitare e ngjarjes. "Gjithçka ndodhi në pak sekonda, - thotë një tjetër dëshmitar.


- Na la pa frymë të gjithëve dhe ndodhi pikërisht në momentin kur u ndërrua semafori nga e kuqe në jeshile dhe makinat do të niseshim. Nuk e kuptuam se ç'ndodhi. Dëgjuam të bërtiturën e shoferit dhe më pas pamë trupin e personit poshtë betonieres. I dukeshin vetëm këmbët".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›