E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset "bosi" i shpërndarësve të heroinës

Shkëlqim Mici, 43 vjeç, u kap dje, ndërsa dyshohet si pronari i një sasie droge të kapur në Tiranë


TIRANË- Arrestohet nga Policia e kryeqytetit, Shkëlqim Mici, i dyshuar si një prej shpërndarësve më të mëdhej të heroinës në disa zona të Tiranës. Ai sipas policisë, dyshohet si pronari i një sasie prej rreth gjysmë kile heroinë e bllokuar nga policia në mars gjatë operacionit "Qarku i mbyllur".


Sipas burimeve të policisë, Mici, 43 vjeç, është prangosur si i dyshuar në furnizimin me drogë të disa shpërndarësve në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ky i fundit është prangosur në momentet që po dilte nga banesa e tij në Vaqarr në periferi të kryeqytetit.


Lajmin për arrestimin e 43- vjeçarit nga Tirana e pohuan dje, burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit, ku pohuan se Mici është i dyshuar si i përfshirë në njërin nga rrjetet e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në Tiranë, i përqendruar kryesisht në zonën e Kinostudios.


Në operacionin e parë më 11 mars të këtij viti policia arrestoi njërin prej bashkëpunëtorëve të Shkëlqim Micit, Kreshnik Halilajn. Ndërkohë në momentet e arrestimit të 43- vjeçarit, Policia ka sekuestruar edhe një automjet tip "Ford", me targa TR 6244 H, një peshore elektronike si dhe dy aparatë celularë. Ndaj Micit, Gjykata e Tiranës, kishte vendosur më datë 16 korrik të këtij viti masën e sigurisë "arrest me burg".


Nga të dhënat paraprake të uniformave blu mësohet se Shkëlqim Mici, e ka ndryshuar mbiemrin e tij për t'i shpëtuar arrestimit, pasi më parë ai ka patur mbiemrin Koçi. Ndërkaq është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtorin e tretë të rrjetit, Genald Hyseni, gjithashtu i akuzuar për trafik droge.


Sipas policisë, dyshohet se Mici, siguronte drogën, Hyseni e strehonte ndërsa Halili, e shpërndante në zonat përreth ish- Shkollës së Bashkuar dhe Allias ku edhe banonte.


Çmimi shkonte nga 3 mijë lekë të reja për 1 gr heroinë, ndërsa në rastet kur klientët e grupit blinin me shumicë, çmimi varionte nga 15- 20 mijë lekë të vjetra. Faza e parë e operacionit "Qarku i Mbyllur", është zhvilluar në muajin mars të këtij viti që ka përfunduar me arrestimin e Kreshnik Halilajt dhe sekuestrimin e rreth 600 gr Heroinë.



Policia konfirmon se Edvil Koço është goditur qëllimisht dhe jo aksidentalisht nga shoku i tij

Vrasja e shokut pas konfliktit në tavëll

TIRANË- Vdekja e Edvil Koços dy ditë më parë, pas goditjes me një plumb pistolete në kokë, nuk ka ndodhur nga pakujdesia por ai është goditur qëllimisht nga shoku i tij, 22 vjeçari Donald Pregpuca. Shkak për ngjarjen mësohet të ketë shërbyer konflikti mes tyre gjatë një loje tavlle.


Ky është versioni zyrtar i Policisë së Tiranës, lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi të enjten në Laprakë, në afërsi të pallateve "Hawai", ku gjeti vdekjen 23- vjeçari nga Tirana. Policia ka dhënë dhe shkakun e konfliktit midis të rinjve që dyshohet se ka lindur për shkak të grindjes mes tyre pasi kanë qenë duke luajtur tavëll.


Uniformat blu kanë arrestuar dhe autorin e dyshuar të krimit, 22- vjeçarin Pregpuca, pak minuta pas ngjarjes, me akuzën e "vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje". Sipas policisë, arma me të cilën është kryer krimi është fshehur nga një person i tretë i cili ka qenë i pranishëm në konflikt.


"Pas hetimit rezultoi se Arben Basha, 25 vjeç, dyshohet se ka qënë i pranishëm gjatë momenteve të ndodhjes së ngjarjes dhe ka marrë armën e kryerjes së krimit, e më pas është larguar,- thanë burimet nga policia e Tiranës lidhur me ngjarjen e të enjtes në zonën e Laprakës. Ndaj 25- vjeçarit Basha, rëndojnë akuzat e "përkrahjes së autorit të krimit" dhe "armëmbajtjes pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›