Sarandë, humb jetën një i ri në një aksident
SARANDË - Një 25-vjeçar ka humbur jetën në spitalin civil të qytetit të Sarandës, gjashtë orë pas përfshirjes në një aksident rrugor në orët e para të ditës së premte. Aksidenti që i mori jetën të riut, ku u plagos një tjetër person, ndodhi rreth 3 kilometra larg qytetit të Sarandës, në afërsi të fshatit Çukë.
Burime zyrtare nga komisariati i policisë së Sarandës, pohuan se "një makinë tip BMV me targa të Fierit, me dy persona në të, në momentin kur ka dashur të ecë mbrapsht, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në ujërat e Bistricës, pikërisht në vendin ku derdhet lumi në detin Jon".
Menjëherë, të njoftuar nga dëshmitarë të shumtë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta të Komisariatit të Policisë së Sarandës, Repartit të Zjarrfikëses, ambulanca, ndërkohë që të parët që kanë ndërhyrë kanë qenë efektivët e Policisë Kufitare, të gjendur menjëherë në vendngjarje me skaf.
Ndërhyrja e mjeteve të tjera ka qenë pothuajse e pamundur për shkak se automjeti kishte rënë nga një lartësi rreth 120 metra e kishte përfunduar në lumë, pranë grykëderdhjes së tij. Nga automjeti i përmbysur janë nxjerrë të gjallë trupat e dy të rinjve, por njëri prej tyre humbi jetën rreth gjashtë orë më pas, si pasojë e plagëve të rënda të marra gjatë aksidentit.
Viktima është Ilia Qëndro, 25 vjeç, biznesmen i bojërave dhe i një pike servisi në fshatin Karhaxh të Delvinës, ndërkohë që i plagosuri, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut, quhet Oltion Jaçe, banor i qytetit të Sarandës.
------------------------------------------------------------------------
Zbulohet shtëpia ku ushtrohej prostitucion, arrestohen 4 vetë
ELBASAN - Tri femra kanë rënë në pranga nën akuzën "ushtrim prostitucioni", ndërsa është arrestuar edhe pronari i banesës në lagjen "Kala" të qytetit. Zyra e Luftës Kundër trafiqeve në drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit ndaloi dje pasdite A.P. 25 vjeçe, N.P. 22 vjeçe, F.K. 43 vjeçe, pasi akuzohet se ushtronin prostitucion në banesën e shtetasit Q.Yzeiri në lagjen "Aqif Pasha" në Elbasan.
Burime policore bënë të ditur se të tria këto shtetase kishin kohë që survejoheshin nga agjentët, të cilët zbuluan aktivitetin e paligjshëm të femrave, që përfitonin shuma të ndryshme duke i ndarë me pronarin e shtëpisë.
Të paktën këtë gjë deklarojnë agjentët që kanë realizuar operacionin pasditen e së enjtes në banesën private të lagjes "Kala". Hetimet kishin kohë që kishin nisur edhe pas ankesave të vetë banorëve për lëvizjet jo normale që kishin parë në lagjen e tyre.
Sipas burimeve policore, ekzistojnë prova të mjaftueshme që e përfshijnë personat nën akuzën e "shfrytëzimit të prostitucionit" dhe të përdorimit të ambienteve për "ushtrim prostitucioni" në mënyrë të paligjshme.