E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk zbaton urdhrin e të atit, qëllohet me armë

TEPELENË/ Dritan Zana u qëllua me automatik nga babai në këmbë pasi nuk pranoi të çonte bagëtitë në mal


TEPELENË - E ka urdhëruar djalin të çojë bagëtitë në mal për të kullotur, por ky i fundit ka kundërshtuar, duke mos pranuar urdhrin e të atit. Një gjë e tillë ka sjellë grindje mes babait dhe të birit, grindje që është acaruar edhe më tepër, teksa babai 55-vjeçar ka marrë armën dhe e ka qëlluar djalin në këmbë, duke e plagosur.


Demo Zana është vënë në pranga nga policia, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuzat e "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje". Bëhet e ditur se Dritan Zana, djali i tij, nuk ka pranuar të fajësojë të atin për asgjë dhe gjithçka është zbuluar rastësisht.

Burime nga policia bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës, në fshatin Nivicë, Demo Zana dhe i biri janë grindur lidhur me dërgimin në mal të bagëtive. Kryefamiljari 55-vjeçar e ka urdhëruar djalin që të shkonte të çonte bagëtitë në mal, por ka marrë përgjigje negative nga Dritani.


Pas një grindjeje paksa të gjatë, babai është futur brenda, ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi të birin, të cilin plumbi e ka zënë në këmbë. Më pas i ka marrë vetë bagëtitë dhe i ka çuar në mal. Ndërsa 26-vjeçari është marrë nga komshinjtë dhe është dërguar në spital.


Para bluzave të bardha ky i fundit ka pretenduar se plagosja në këmbë kishte ardhur si pasojë e rrëzimit nga mushka. Por pas ekspertizës mjeko-ligjore të kryer është vërtetuar se dëmtimi në këmbë i Dritanit kishte ardhur nga një armë zjarri, duke bërë që pretendimi i tij dhe mbrojtja që i bënte të atit të binte poshtë.

Policia teksa ka marrë njoftim nga bluzat e bardha lidhur me një person të plagosur me armë zjarri, i mbërritur për të marrë mjekim në spital, ka marrë në pyetje personat që e kanë shoqëruar, si dhe vetë personin.


Nga dëshmitë e marra është arritur të zbulohet se djaloshi është qëlluar me armë nga i ati në gjaknxehtësi e sipër. Si rrjedhojë, policia ka vënë në pranga Demo Zanën, 55 vjeç.


I arrestuar, mësohet se përpara oficerëve të policisë gjyqësore kryefamiljari ka pohuar të gjithë ngjarjen, ndërsa është shprehur se ai ka shtënë për ta trembur të birin, i cili nuk kishte zbatuar kërkesën e tij, dhe jo për ta vrarë.


Kur komshinjtë e kanë marrë djalin për ta shpënë në spital, ai vetë është larguar për në mal që të çonte bagëtitë. Ndërkaq, policia ka sekuestruar në afërsi të stanit të Zanës një automatik model 56.


Akuzat e ngritura ndaj kryefamiljarit janë "vrasje me dashje e mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje". Ndërkohë mësohet se 26-vjeçari Zana është përpjekur që të justifikojë të atin për veprimin e kryer.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›