E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, reshjet shkaktojnë probleme të shumta

Reshjet intensive të shiut të rëna 3 ditë më parë në mbarë vendin, në rrethin e Tropojës ashtu sikursë në shumë qytete të tjera, kanë krijuar jo pak probleme. Shumë dëme materiale kanë pësuar mjaft banesa në një pjesë të madhe në fshatrat e këtij qyteti 

TROPOJE- Reshjet intensive të shiut të rëna tre ditë më parë në mbarë vendin, në rrethin e Tropojës ashtu sikurse në shumë qytete të tjera, kanë krijuar jo pak probleme. Shumë dëme materiale kanë pësuar mjaft banesa në një pjesë të madhe në fshatrat e këtij qyteti. Një pjesë e madhe e rrugëve rurale që lidhin fshatrat me qendrën e qytetit janë dëmtuar së tepërmi. Dëme ka pasur në rrugën Bajram Curri-Valbonë, e cila është bërë e pakalueshme nga shembjet e tokës dhe rëniet masive të gurëve. Në zonën Bucaj-Kuçovë dhe në fshatin Lugu i Zi rrugët janë dëmtuar dhe 4 prej urave kanë dalë jashtë funksionit. Në disa fshatra të tjera sidomos në zonën e Valbonës mungon energjia elektrike, mjaft rezervuare janë mbingopur me ujë duke rrezikuar në këtë mënyrë dhe banesat që ndodhen shumë pranë tij. Reshjet e shiut vazhdojnë ende në këto zona, duke krijuar probleme serioze tek banorët të cilët janë të vetmit në këtë situatë problematike që po marrin masat me mjete rrethanore për ti shpëtuar rrezikut të reshjeve të vazhdueshme.
Edhe pse kjo situatë e shkaktuar si rezultat i motit të keq në disa zona të vendit ka krijuar probleme serioze ,një situate krejt e favorshme në antitezë me dëmet e shkaktuar paraqitet në Liqenin e Fierzës. Edhe pse shumë zona kanë mbetur pa energji elektrike si shkak i dëmtimeve të rrjetit nga furia e reshjeve rritja e ndjeshme dhe shtimi i prurjeve të ujit në liqenin e Fierzës, tregon një situatë të mirë përsa i takon furnizimit me energji elektrike të zonave të tjera në vend. Momentalisht prurjet janë 800 metër kub për sekond, duke bërë që liqeni i Fierzës të rritet me 6 cm në orë. Niveli i Fierzës shkon në 272.5 metër duke u favorizuar dhe nga reshjet që vazhdojnë të bien në mënyrë të vazhdueshme. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›