Qendra e Korçës, rikthim në identitet
Korçë Qendra e Korçës i rikthehet normalitetit pas më shumë se një vit pune, pezullimi dhe debatesh të shumta deri dhe politike. Mbyllja e përkohshme dhe e zgjatur e saj për shkak të punimeve gati njëvjeçare në të, ka krijuar jo pak probleme. Automjetet nuk lëviznin lirisht, ndërsa dhe vetë kalimtarëve iu duhet të ecnin jo në qendrën e qytetit të tyre, por në një vend që gjeneronte probleme nga më seriozet. Vetëm prej gati 24 orësh sheshi i dikurshëm i qendrës, tashmë i ndarë në korsi është hapur si për automjetet ashtu dhe kalimtarët, ndonëse punimet nuk kanë përfunduar plotësisht dhe punëtorët vazhdojnë t’iu japin dorën e fundit atyre. Lajmi i mirë është se qendra është zhbllokuar. Ndërkaq, zhvendosja e monumentit të “Luftëtarit Kombëtar” nga vendi i tij si dhe përfundimi i këtij segmenti të rëndësishëm të zemrës së qytetit rikthen në normalitet qendrën e Korçës. Tanimë automjetet vijojnë të lëviznin pa probleme, ndonëse duhen dhe disa ditë të tjera për të sistemuar trotuaret, por dhe për t’u kryer vijëzimet e nevojshme për mënyrën e lëvizjes së automjeteve në të. Nga ana tjetër, qytetarët shprehen të kënaqur për përfundimin e punimeve, të cilat kanë nisur gjatë vitit të kaluar dhe që u pezulluan disa herë për shkak të përplasjeve mes Bashkisë së qytetit dhe institucionit të Prefektit, por dhe një grupi arkitektësh nga ana tjetër, të cilët ishin kundër ndërhyrjeve në sheshin kryesor të Korçës. Në fund ka fituar projekti i Bashkisë për ndarjen e sheshit në dy korsi dhe zhvendosjen e monumentit që korçarët e njohin si “Ushtari i Panjohur”. Tanimë çdo gjë gradualisht është drejt kthimit në normalitet. Qendra e Korçës fillimisht i është nënshtruar ndërhyrjes për shtrimin e rrjetit të ujërave të përdoruara. I gjithë projekti i kanalizimit të rrjetit të ujërave të përdorura dhe rikthimit të rrugëve ku shtrihet ai në gjendjen e mëparshme, kap një vlerë prej 19 milionë eurosh dhe është një financim i bankës gjermane KFW. Zbatimi i këtij projekti filloi në vitin 2006 dhe pritet të përfundojë gjatë këtij viti. Kjo do të sjellë më shumë komoditet për banorët e këtij qyteti, duke e kthyer atë në një nga qendrat urbane me të gjithë infrastrukturën bashkëkohore.
I. V.