E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, var veten në litar 32-vjeçari

TROPOJË - Një 32-vjeçar nga Çuka e Degës, komuna Fierzë, Tropojë, ka gjetur vdekjen si rezultat i varjes në litar. Viktima Kujtim Haxhi Osmani, për arsye ende të paditura, u gjet i varur në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij. Në hetimet e deritanishme nuk gjendet ende një arsye për veprimin e 32-vjeçarit, gjendja ekonomike e të cilit ishte shumë e mirë dhe ai vetë nuk vuante nga ndonjë sëmundje. Pak kohë më parë, po në këtë fshat, një 16-vjeçare u vetëvar për shkaqe ende të panjohura. Gj.Neçaj


-------------------------------------------------------------------------------------


Bllokohen 151 automjete në 2 javë


GJIROKASTËR- Mungesa e dokumentacionit përkatës ka bërë që një numër mjaft i madh automjetesh të bllokohen në qarkun e Gjirokastrës. Bëhet e ditur se vetëm gjatë dy javëve të fundit janë bllokuar 151 automjete, një pjesë e mirë e të cilave, gjithsej 51, i përkasin shërbimit publik, furgonë dhe taksi që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë qark. Drejtuesit e qarkullimit rrugor e cilësojnë të pajustifikueshëm ekzistencën e një numri tepër të madh automjetesh që lëvizin pa dokumente, duke theksuar edhe faktin se shumë fëmijë nën moshë qarkullojnë me automjete. E.Bani

------------------------------------------------------------------------------------

Trafikonin klandestinë, 2 në pranga
SARANDË - Burime nga policia e Sarandës bëjnë të ditur se të premten janë ndaluar shtetasit Genc Shtypilli, 39 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në Ksamil, si dhe Sokol Mollanji, 26 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë, për "dhënie ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi. Blutë bëjnë të ditur se dy personat po transportonin dy klandestinë në makinën e tyre "Benz" me targa të Sarandës drejt kufirit grek përkundrejt shpërblimit 1800 euro për person. Ata u ndaluan nga policia në segmentin rrugor Shkallë-Konispol. Operacioni i koduar "Vazhdimi" i ka ndaluar shtetasit në tentativë të transportit të dy klandestinëve drejt kalimit të kufirit pa dokumente.

--------------------------------------------------------------------------------

Mashtron tregtarin me 25 milionë lekë


ELBASAN - 25 milionë lekë është shifra me të cilën një person ka mashtruar një tregtar në Elbasan duke i marrë materiale dhe pjesë këmbimi për automjete. Si rrjedhojë, ai është denoncuar në polici.

Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se ka filluar çështja penale në ngarkim të shtetasit Vegim Dishani, 37 vjeç, me banim në Elbasan pasi ndaj tij është ngritur akuza e "mashtrimit". 37-vjeçari është i punësuar si administrator i një servisi automjetesh. Gjatë këtij viti ai ka mundur t'i marrë në vazhdimësi pjesë këmbimi në vlerë 25 milionë lekë të vjetra tregtarit N.Macolli.


Por më pas nuk është kthyer për ta likuiduar. Tregtari ka kryer kallëzim penal në polici. Menjëherë janë vënë në veprim specialistë të krimit ekonomik dhe financiar të cilët kanë marrë në pyetje administratorin. Vegim Dishani ka deklaruar në polici se do ta likuidonte tregtarin sapo të shiteshin pjesët e këmbimit. Megjithatë, çështja është nën hetim.

---------------------------------------------------------------------------------------


Pi 30 tableta, përfundon në koma


ELBASAN - Përfundon në koma një 42-vjeçare pas pirjes së 30 tabletave korvitol. D.Sh me banim në Elbasan, ka përfunduar në gjendje të rëndë për jetën në spitalin kirurgjik të Elbasanit.. Kanë qenë vetë familjarët që kanë konstatuar gjendjen e rëndë të 42-vjeçares dhe më pas u janë drejtuar për ndihmë bluzave të bardha. Megjithëse i është nënshtruar lavazhit dhe trajtimit me antidotë, gruaja nuk ka dalë nga gjendja e rrezikut, çka ka bërë që ajo të niset për trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konstatuar se ajo ka kapërdirë 30 tableta korvitol. Burime nga blutë pohuan se kjo shtetase vuante prej kohësh nga depresioni nervor dhe mendohet se ka tentuar aktin vetëvrasës në kushtet e tronditjes së rëndë psikike.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›