E Shtunë, 31 Tetor 2026

ÇAKËRRI

Gjykata pushon kërkesën e Çakrrit, braktisë edhe gjyqin, prokurori hetim për ikjen
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pas arratisjes nga burgu të të dënuarit Petrit Çakrri dhe mos paraqitjes së tij në seancë e djeshme gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës për "shuarjen e masës së sigurisë" ndaj tij, vendosi të pushoi shqyrtimin e kësaj kërkese, duke lënë në qeli deri në përfundim të vuajtjes së dënimit ish-dëshmitarin e vrasjes së Azem Hajdarit.


Kështu, togat e zeza të kryesuar nga gjyqtari i vetëm i çështjes Ilir Çeliku vendosi të pushoi shqyrtimin e kërkesës së vetë të arratisurit Çakrri, për mungesën e paraqitjes së tij dhe avokatit mbrojtës në gjyq. Sipas vendimit të pushimit të çështjes, thuhet se "nuk mund të shqyrtohet një kërkesë me objekt "shuarjen e masës së sigurisë", kur kërkuesi është arratisur nga burgu dhe nuk ndodhet në asnjë institucion të vuajtjes së dënimit. Përveç, këtij pretendimi, gjykata nuk mund të shqyrtoi këtë kërkesë pasi edhe në dy seancat e fundit, vetë kërkuesi dhe mbrojtësi i tij ligjor nuk është paraqitur para gjykatës"-thuhet në vendimin e djeshëm të sigluar nga gjyqtari Ilir Çeliku.

Gjithashtu, mësohet se kërkesa me numër akti 291 është paraqitur nga vetë i dënuari që tashmë është arratisur nga burgu Çakrri më datë 16 janar 2009 vetëm 6 ditë para arratisjes së tij nga vendi i vuajtjes së dënimit në burgun e "Shën Kollit" në Lezhë ku po priste përfundimin e viteve të burgut.

Dënime këto të dhëna për "vjedhje me dhunë" të makinave dhe "mashtrim me shuma të mëdha parash" ndaj ish-shokut të tij të qelisë, gjatë kohës së qëndrimit në paraburgimin "Jordan Misja" në kryeqytet. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, ish-dëshmitari i procesit të vrasjes së Azem Hajdarit, i dënuari Çakrri është arratisur nga qelia, duke mos u kthyer nga leja e dhënë nga drejtuesit e institucionit të burgut të Shën Kollit në Lezhë, për të qëndruar 7 ditë pranë familjes.

Kështu, ditën që i dënuari duhet të kthehej në qeli, familjarët kanë lajmëruar drejtuesit e burgut se Çakrri është arratisur në drejtim të paditur. Për këtë arratisje, mësohet se, prokuroria e Lezhës ka filluar hetimet për "largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit", vepër kjo e ngritur menjëherë pas mos kthimit të tij në qeli nga leja një javore. Vetë i arratisuri e ka cilësuar largimin e tij, si një liri që ia jep vetes me të drejtë. Sipas vendimit të dënimit, Çakrri është dënuar për "vjedhje me dhunë" dhe "armëmbajtje pa leje" dhe për këto vepra ishte dënuar me 6 vjet burg, dënim i cili kishte përfunduar më 15 maj 2006 ndërsa për dënimin e "mashtrimit" është dënuar po 6 vjet që i bie që të përfundonte dënimin pas një viti e katër muaj.

VENDIM
Gjykata: 13 vjet burg për ish-policin e BRISKU-t
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet pas 32 seancave gjyqësore dhe pas dëgjimit të konkluzioneve të akuzës, pretendimeve të mbrojtjes dhe vetë të pandehurit vendosi të deklaroi fajtor ish-policin e BRISK-ut Arjan Avdo me 13 vjet heqje lirie për akuzën e "vrasjes me dashje".Sipas vendimit të togave të zeza, i pandehuri Avdo ka kryer veprën penale të vrasjes së Dorian Vuçitërnës pas një debati me fjalë mes viktimës dhe oficerit të "Briskut" për një borxh të vjetër që oficeri i kishte viktimës 28-vjeçar, Vuçitërna. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë ishte prokurori i cili gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata dënimin e ish-oficerit të BRISK-ut Avdo me 18 vjet burg, duke e cilësuar vrasjen e tij si "vrasje e kryer me paramendim" që për togat e zeza ky cilësim i veprës penale nuk është provuar pasi vrasja ka ardhur pas debateve mes tyre. Sipas vendimit, ish-oficeri në debat e sipër, dhe si pre e gjaknxehtësisë ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në trupin e Vuçitërnës, duke e lënë të vdekur. Pas të shtënave, ka qenë një koleg i oficerit të "Brisku-t" që ka ndërhyrë duke tentuar t'i marr pistoletën, por në përleshje e sipër pistoleta ka shkrepur edhe një plumb i cili e ka plagosur vetë autorin e kësaj vrasje Arjan Avdo. Vrasja e shtetasit 28 vjeçar Dorian Vuçitërna ka ndodhur pasditen e datës 24 prillit të vitit 2007 në lagjen "Ali Demi" në repartin e forcave speciale të policisë në kryeqytet. F.Vezaj

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›