E Diel, 1 Nëntor 2026

Trotuaret e kryeqytetit shndërrohen në lokale, qytetarët përballen me makinat

Bllokimi i trotuareve dhe ndotja akustike çmendin banorët e ish Bllokut  
Trotuaret e kryeqytetit tani janë kthyer në lokale duke e humbur totalisht funksionin e tyre. Në çdo vend tjetër dihet që trotuaret janë në funksion të qytetarëve duke i krijuar atyre mundësinë që të ecin lirshëm dhe të mos rrezikohen nga makinat. Në Tiranë ndodh krejt e kundërta, trotuaret janë kthyer në shërbim të tavolinave dhe çadrave të lokaleve që janë buzë rrugëve duke mos i lënë aspak hapësirë kryeqytetasve. Kjo përgjegjësi bie drejtpërdrejtë mbi Bashkinë e Tiranës pasi kjo gjë është në varësi të saj por masat e ndërmarra nga ajo janë ta pakta ose ajo nuk ka ndërmarrë ende një masë të tillë megjithëse e ka premtuar shpesh herë.Madje edhe kur policët bashkiak dalin për ta rregulluar situatën e trotuareve të uzurpuar ata nuk ja arrijnë kurrë synimet veçse vjelin disa gjoba të majme dhe më pas e harrojnë këtë situatë alarmante për qytetarët. Gjithsesi zaptimi i trotuareve nuk është e vetmja gjë që bëjnë këto lokale, gjithashtu ato krijojnë edhe zhurma të tmerrshme sidomos gjatë natës me muzikën e lartë dhe me zërat e qytetarëve që kurrë nuk kanë një kufi. Ndaj edhe Tirana është kryeqyteti me ndotjen akustike më të lartë në vendet e Evropës.
A janë trotuaret vendi i duhur për klube të hapura?!
Sikur të mos na mjaftonte mungesa e trotuareve, ka rrugë që nuk kanë fare të tillë, apo tregjet dhe tezgat e pafundme nuk na lënë rehat, edhe pronarët e klubeve që pa përgjegjësinë më të vogël na nxjerrin në mes të rrugës tavolina. Janë të pafundmë lokalet, të cilët nxjerrin në mes të rrugës tavolina dhe çadra, duke krijuar kështu miniklube të hapura në mes të trotuareve. Se ku do kalojnë njerëzit e shkretë, këtë nuk e dimë. Një nga qytetarët që ndodhet në zonën e ish-Bllokut, Elton Haiti, shprehet: Tirana, kurrë nuk do të marrë pamjen e një kryeqyteti. E si mund ta marrë ajo, kur drejtohet nga një Bashki që vetëm godinën e ka si të tillë, se punën as që bëhet fjalë. Ja, ne jemi përkatësisht në një nga rrugicat e ish-Bllokut, ku të gjitha lokalet kanë nxjerrë tavolina, kolltukë, karrige e çadra përjashta, në mes të trotuarit. Ndërkohë që përballë nesh qëndrojnë dy makina të Policisë Bashkiake, të cilët as që e marrin mundimin që ta ndalojnë një gjë të tillë. Madje, për habi të të gjithëve dhe si për karshillëk të ne qytetarëve, ata ulen edhe vetë në këto tavolina dhe pinë kafen. Mjerë ne pastaj që nuk dimë se ku të ecim, veçse mes makinave.
Kasaphana e trotuareve në Tiranë
E pamundur të ecësh në trotuaret e kryeqytetit. Tirana është kthyer në një kantier punimesh, që zvarriten e bëhen copa-copa, pamjen e një kryeqyteti nuk e gjen askund. Punët që nisen sot, nuk dihen se kur do të mbarohen dhe rrugët e trotuaret janë pjesa më e shëmtuar e këtij kryeqyteti në mes të shumë të shëmtuarave të tjera. Kudo do gjesh pengesa, të cilat nuk të lënë të bësh tutje dhe je i detyruar që të zbresësh dhe të ecësh në rrugën e makinave, megjithëse në çdo çast je i rrezikuar. Kudo sheh lokale që kanë nxjerrë tavolinat, çadrat dhe kanë zënë një pjesë të mirë të trotuarit. Më tutje, sheh tregtarët që kanë hapur mallrat e tyre dhe kanë nisur edhe një ditë tjetër pune në mes të një trotuari. Më pas sheh që një pjesë e mirë trotuari është zënë nga firmat e ndërtimit, të cilat e kanë rrethuar me llamarina apo me hekura dhe për muaj me radhë, ajo zonë nuk është më e qytetarëve. Por ajo që është më e habitshmja, është se edhe ato pak trotuare që janë në Tiranë, janë në gjendje skandaloze. Megjithëse nuk kanë kaluar shumë kohë që nga koha që ato janë rikonstruktuar, pllakat e vendosura lëvizin që të gjitha poshtë këmbëve të kalimtarëve. Më e keqja është që këto trotuare, në ditët me shi janë një tmerr i vërtetë për çdo qytetar, pasi poshtë çdo pllake dalin pafund spërkla shiu, duke krijuar një stres të madh te qytetarët.
Treg në trotuare, qytetarët nuk dinë ku të ecin
Prej shumë kohësh, trotuaret e kryeqytetit tonë janë kthyer në tregje mallrash, fruta-perimesh, në markata etj. Kushdo mund të dalë e të vërë një tezgë, mund të shtrojë një çarçaf dhe të nxjerrë mallin e tij, mund të zërë të gjithë pjesën para dyqanit e të vërë manikina. Kushdo mund të bëjë çfarë ti dojë qejfi në trotuaret e Tiranës. Kjo, pasi këtu duhet sikur nuk ka polici bashkiake, edhe atëherë kur ajo del në aksione, nuk arrin të bëjë asgjë. Thjesht vendos disa gjoba dhe zhduket për muaj të tërë ndaj dhe këto shitës kanë fituar imunitet ndaj këtyre skemave. Ajo nuk është kompetente për asgjë dhe punën e saj nuk ka ditur ta kryejë ndonjëherë, përderisa trotuaret e Tiranës po bllokohen për çdo ditë e më shumë. Mjafton të kalosh te stacioni i trenit dhe do shohësh që në të dy anët e rrugës trotuaret janë të bllokuar nga shitësit e fruta-perimeve dhe ushqimorët. Më pas, e gjithë rruga e unazës deri te farmacia 10, ku mbaron dhe tregu i medresesë, është e pamundur që ta kalosh nga mallrat e shumta, që janë nxjerrë në trotuar për tu shitur. Më pas do shohësh që te posta qendrore shqiptare, duke vazhduar te Teatri i kukullave e në anë të bankës shqiptare, kudo rruga është e zënë me shitës ambulantë, që ta bëjnë të pamundur kalimin. Valbona Ara, një nga qytetaret e Tiranës shprehet: Këtu nuk merr vesh i pari të dytin. Është e tmerrshme të dalësh në mëngjes dhe të ecësh në rrugët e Tiranës. Edhe ato pak trotuare që kemi, janë të zëna kudo. Ato nuk janë më trotuare, por markata të hapura që po na e nxijnë jetën çdo ditë. Këtu sikur sundon ligji i xhunglës. Ne paguajmë taksa në Bashki për të na ruajtur qetësinë dhe qytetin, e jo për të na e shkatërruar qytetin dhe për të na vështirësuar jetën. Habitem në mëngjes kur dëgjoj shitësit e trotuareve që thonë uuu, policia bashkiake! Hajde ikim për një orë, e dalim pastaj. Kaq të padobishëm janë kthyer këto policët e bashkisë tonë..
Firmat e ndërtimit, për muaj me radhë mbajnë peng trotuaret
E tmerrshme, nuk dimë se nga të ruhemi kur kalojmë në trotuaret e kryeqytetit. Ti mbajmë sytë nga poshtë se mos biem në ndonjë pusetë të hapur, rrezikohesh nga ndonjë tullë që mund të të vijë nga lart. Kudo nëpër kryeqytet shihen ndërtime pallatesh dhe godinash të ndryshme, të cilat pa përgjegjshmërinë më të vogël, bllokojnë për muaj me radhë një pjesë të mirë të trotuarit dhe qytetarëve nuk u ngelet gjë tjetër veçse të kalojnë në mes të rrugës. Kudo sheh trotuare që rrethohen nga llamarinat, gjë e cila, sipas ligjit, duhet të gjobitet nga Policia Bashkiake. Ndërkohë që ajo bën sikur nuk i shikon dhe vërdalliset me makinat e saj gjithë rrugëve ,duke ruajtur atë që askush nuk e di.

Last Updated on Sunday, 12 July 2009 17:44

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›