E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet numërimi në Fier, PS drejt marrjes së mandatit të nëntë

KQZ miraton rinumërimin e qendrave më problematike të votimit  
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur rinumërimin e votave në 2 KZAZ-të e Fierit, duke i dhënë kështu mandatin e 9-të Partisë Socialiste, që kjo e fundit pretendonte se e kishte fituar që në numërimin e parë të kutive në këto KZAZ. Vendimi për rinumërimin e këtyre KZAZ-ve tregon se politika ka vendosur tia japë vetë mandatin e 9-të PS, për të shuar kështu edhe egon e kryesocialistit Rama, i cili pretendonte të çonte vendin në luftë civile. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur me debate të forta në pasditen e djeshme shqyrtimin e kërkesave ankimore të paraqitura nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike,që kundërshtojnë vendimet për tabelat e rezultateve zgjedhore në disa KZAZ të qarkut të Fierit dhe vendimin e KQZ për miratimin e tabelave përmbledhëse bazuar në procesverbalet e këtyre KZAZ. Menjëherë pas nisjes së seancës, KQZ ka marrë në shqyrtim ankimimin e Partisë Socialiste për KZAZ nr. 18 në qarkun e Fierit. Me 7 vota pro, KQZ vendosi për rinumërim fillestar votat në KZAZ numër 18 në qarkun e Fierit që i përket QV nr. 3006. Ndërsa me 6 vota pro e një kundër, KQZ vendosi për rinumërim fillestar edhe QV 3017 dhe 3027 në KZAZ nr. 18 në Fier. Më tej KQZ ka nisur shqyrtimin e KZAZ nr. 19, duke miratuar me 7 vota pro rinumërimin e kutisë numër 3 116 dhe me 6 vota pro e një kundër kutinë nr. 3122 të KZAZ nr. 19. KQZ ka vazhduar deri në orët evona të natës me shqyrtimin e 2 KZAZ-ve të tjera të Qarkut të Fierit. Ankesat e dy forcave politike meqë kanë objekt të njëjtë, KQZ vendosi të shqyrtohen së bashku. Në shqyrtimin e çështjes së Fierit kërkuan të bëhen pjesë e gjykimit edhe përfaqësuesit ligjor të LIS dhe PDI, kërkesë e cila u miratua nga KQZ. Kërkesa ankimore e PS, e depozituar më herët se ajo e PD në KQZ, kundërshton rezultatet zgjedhore në katër KZAZ nr. 18, 19, 20 dhe 22 të qarkut të Fierit, duke u shprehur për rinumërim të 9 kutive të votimit. Kurse ankimimi i paraqitur nga PD në mbledhjen e djeshme të Komisionit kundërshton tabelën e rezultateve përmbledhëse të KZAZ nr. 19 dhe nr. 20 në Qarkun Fier, duke kërkuar rivlerësim dhe rinumërim të votave. Gjithashtu demokratët kërkuan që të hiqen nga tabelat përfundimtare rezultatet e qendrave të votimit nr. 3188 dhe 3138, ku sipas tyre ka pasur parregullsi në numërim. Në fillim të seancës së djeshme përfaqësuesit e partive politike bënë publike edhe një herë para komisionit ankimimet e tyre duke i shoqëruar me prova dhe fakte. Më tej debatet nisën për mënyrën sesi do të procedohej, ku u hodh ideja që të merreshin një nga një KZAZ në fjalë. Por kjo u kundërshtua nga socialistët me argumentin se të gjitha KZAZ kanë të njëjtën problematikë. Kjo më pas u pranua nga komisioni dhe çështjet u gjykuan në përgjithësi. Ndërkaq, në kuadër të shqyrtimit të kërkesave të PD-PS për parregullsitë e procesit zgjedhor në Fier, KQZ miratoi me unanimitet vendimin që të rrëzohet vendimi i KZAZ nr. 18 duke filluar numërimin nga e para e të kutive të votimit nr. 3027 dhe 3006, rezultati i të cilave do të jetë rezultati i ligjshëm që do të hidhet në tabelën përmbledhëse të rezultatit. Si rrjedhojë e këtij vendimi të ndërmarr nga KQZ, përveç se rrëzohet vendimi i KZAZ nr. 18, ky vendim rrëzon edhe miratimin e tabelës përmbledhëse për këtë qark të miratuar nga vetë KQZ, pasi do të ndryshojë rezultatit i votave për subjektet. Gjatë procesit të shqyrtimit mendimet u ndanë në rregullsinë e kutive të votimit. Demokratët pretenduan që shumë kuti votimi janë të pavlefshme, por të pavlefshme janë shpallur pasi ka nisur procesi i numërimit. Ndërkohë Kodi Zgjedhor parashikon që kur kutia hapet për tu numëruar, grupi i numërimi nuk mund ta cilësojë më ta pavlefshme, para numërimi duhet të përfundojë dhe ato fletë që cilësohen të pavlefshme të shënohen në librin e protokollit. Ndaj për të gjitha këto kuti, në të cilat janë konstatuar parregullsi gjatë numërimit dhe KZAZ e ka ndërprerë numërimin duke i cilësuar të pavlefshme, KQZ vendosi me 7 vota pro që të rifillojë numërimi nga e para. E gjithë kjo problematikë ka ardhur si rezultat i paaftësisë së komisionerëve, pasi i kanë hapur një herë kutitë pastaj i kanë cilësuar të parregullta, kur ligji parashikon se nëse hapet kutia nuk mund të ndërpritet numërimi. Por nuk mungoni rastet edhe për bllokime të qëllimshme politike, siç është rasti komisionerit të PS që ishte rrëmbyer vulën dhe ishte larguar. Sipas rezultateve paraprake të KQZ, në zgjedhjet e 28 qershorit në Qarkun e Fierit koalicioni i djathtë Aleanca e Ndryshimit fitoi 7 mandate, koalicioni i majtë Bashkimi për Ndryshim 8 mandate dhe koalicioni Aleanca Socialiste për Integrim 1 mandat. PD shpreson se në kutitë e mbetura pa numëruar në KZAZ me numër 18, 19, 20 dhe 22 mund të fitojë mandatin e nëntë në qarkun e Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›