E Diel, 1 Nëntor 2026

Trualli në Tiranë, Berisha: Do e shesim 110 milionë euro

Kryeministri shfrytëzoi mbledhjen e qeverisë për të theksuar se toka në qendër të Tiranës, që ka futur në sherr Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë është shtetërore. Berisha tha se kushdo që do ta marrë atë tokë duhet të paguajë 110 milionë euro. Sipas tij, ai truall do të shitet me 2 mijë euro metri katrorë. Kreu i ekzekutivit kërkoi nga Ministria e Punëve Publike verifikimin e të gjithë dokumentacionit për qendrën e Tiranës, për të shmangur në këtë mënyrë përvetësimet e padrejta të tokës publike. Ai tha se për të gjitha shpronësimet e bëra nga Mbreti Zogu I, për këtë zonë të qytetit ka pasur kompensimet përkatëse, duke theksuar se falsifikatorët dhe mbështetësit e tyre do të marrin përgjigjen e merituar nga ligji. "Qendra e Tiranës, në çdo centimetër të saj, ishte vetëm tokë publike me dokumentet më të qarta. Zotërinj ministra, dua t‘u rikujtoj se ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, sipas atlaseve dhe të gjitha dokumenteve, është ndërtuar në vitin 1932 nga lartmadhëria e tij Mbreti Zogu I, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk i ka përvetësuar kujt pronën, por ka shpronësuar në përputhje me Kodin Civil", tha Berisha. Sipas tij, "më sipër është një barakë e ndërtuar nga fundi i viteve 1800, një kazermë ushtarake turke. Me të gjitha dokumentet, ajo është një dhomë tregtie, më vonë spital austro-hungarez e pastaj gjimnaz. Dhe tani na del se qenka pronë e asaj apo kësaj familje". Berisha theksoi se falsifikatorët do të marrin përgjigjen që meritojnë, po kështu edhe ata që mbrojnë falsifikimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›