Topi: Media, institucionet të vihen nën alarm
Incidenti i fundit me gazetarin Mero Baze ka sjellë reagimin e ashpër të kreut të shtetit, Bamir Topi. Për herë të parë Presidenti ka folur hapur për atë çka e cilëson situatë alarmante me median. Topi akuzoi partitë politike dhe institucionet e caktuara se po tentojnë të shtrijnë influencën e tyre mbi median e lirë. Pa dashur të perifrazojë emra të veçantë për këtë fenomen, Presidenti Topi theksoi se për rastin e dhunës ndaj Mero Bazes institucionet duhet të ngrihen në alarm. Më i ashpër se ndonjëherë më parë dhe më kritik sesa drejtuesit e tjerë të institucioneve shtetërore, Presidenti e cilësoi ngjarjen që mban emrin "Mero Baze" si të papranueshme dhe se duhet me patjetër që të ngrihen në alarm institucionet. "Çështja nuk është te reagimi nëpërmjet deklaratave ‘post factum‘ apo ‘post mortum‘. Gjërat kanë nevojë për profilaksi. Gazetarët kanë nevojë për integritet dhe ai duhet të demonstrohet. Dhuna ndaj një gazetari është e rëndë", u shpreh Topi. Këto deklarata, kreu i shtetit i bëri në një tryezë të organizuar për forumin e medias pasditen e djeshme në Tiranë. "Ngjarja me gazetarin Mero Baze është e papranueshme. Nuk ka demokraci pa media të lira. Rruga në vite nuk ka qenë e lehtë për median dhe reforma në legjislacionin për to është e nevojshme", deklaroi Topi. Ai nënvizoi se liria e medias është diçka thelbësore në një shtet demokratik dhe insistoi se reforma në legjislacionin për këtë sektor është më se e nevojshme. Kreu i shtetit denoncoi edhe influencën e politikës te mediat shqiptare dhe shtoi se është koha për një reflektim të thellë. "Preferoj të mos përmend emra, por vetëm t‘i evidentoj ata, duke thënë se grupe politikanësh, parti politike dhe institucione të caktuara, po tentojnë të shtrijnë një influencë mbi median", theksoi Topi. Duke vazhduar me tone të ashpra ndaj politikanëve të caktuar, kreu i shtetit tha se "ka politikanë që nuk i zë gjumi natën derisa të mbyllen titujt e gazetave". Sipas tij, për këtë arsye, raportet e pushtetit të katërt me atë të politikës janë shumë të rëndësishme. Presidenti theksoi se "presionet politike janë fatkeqësisht ende të pranishme në median shqiptare". Sipas tij, çdo puthje dore e politikës për të braktisur misionin e gazetarit është jo vetëm robëri, por edhe kthim prapa në demokraci. "Media duhet të luftojë sëmundjet e shoqërisë", tha Topi. Sipas Presidentit, mediat nga ana tjetër duhet të bëjnë një përpjekje kundër shpifjes dhe pro transparencës së lajmeve. "Harmonizimi i legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian mbetet një detyrë shtëpie për Shqipërinë", tha Topi. Kreu i shtetit u shpreh se ka ardhur momenti për reflektim të thellë me qëllim eliminimin e presionit ndaj mediave. "Ngjarja e papranueshme e dhunimit të gazetarit duhet patjetër të ngrejë në alarm institucionet e shtetit dhe këto nuk mund të vijnë në formën e orientimit nga Presidenti, por në një shtet demokratik të gjitha institucionet kanë detyrime dhe përgjegjësi për të vendosur standardet e shtetit ligjor", tha Topi.