Trukimi i ndeshjeve skandal ne Turqi, 46 në pranga
ANKARA- Futbolli turk është tronditur këto ditë nga një tjetër skandal trukimi ndeshjesh, që ka vendosur nën pranga të paktën 46 persona. Mes tyre, më i famshmi mbetet ish-futbollisti i kombëtares turke Fatih Ekiel, i cili ka qenë pjesë e skuadrës që zuri vendin e tretë në Botërorin e vitit 2002. Policia ka liruar disa prej të arrestuarve, ndërkohë që ka bërë të ditur se operacioni do të vazhdojë me prangosje të tjera në të gjithë vendin. Turqia është një nga vendet më të goditura nga skandali i trukimit të ndeshjeve në kompanitë e basteve, madje nga 200 ndeshjet që ka vërtetuar Prokuroria e Bokumit si të trukuara, 29 prej tyre i përkasin kategorisë së parë turke. Një nga personat e shoqëruar nga policia ka qenë edhe Arif Erdem, zëvendës trajneri i skuadrës së Bujuksehirit, e cila renditet e teta në Superligën turke. Bashkë me të ishin edhe portieri i kësaj skuadre Kenan Hasagiç siu edhe sulmuesi Taner Guleri. Erdem, që ka qenë edhe futbollist i kombëtares turke, ka deklaruar se ai nuk është përfshirë në këtë skandal, por është thirrur në Prokurori për shkak se thjesht i është përmendur emri. “Ata më morën mua dhe shokët e mi vetëm për të dhënë dëshmitë”, u shpreh Erdem për gazetarët. Ndërkohë Federata Turke ka bërë të ditur se hetimi i nisur nga Prokuroria e Stambollit është ende duke vazhduar dhe se deri tani është ngritur një dosje e plotë mbi trukimin e ndeshjeve. Federata ka bërë të ditur gjithashtu se skandali nuk lidhet me hetimin e bërë nga Prokuroria e Bokumit në Gjermani, megjithëse autoritetet turke kanë marrë informacione të shumta në nëntor nga kjo Prokurori.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)