Trupi i pajetë i poetit Podrimja nuk ka shenja dhune

Poeti, Ali Podrimja
Poeti kosovar, Ali Podrimja është gjetur i vdekur në pjesën jugore të Francës, pasi ishte i zhdukur për disa ditë, kanë thënë organizuesit e festivalit të poezisë, në të cilin ai po mjerrte pjesë.
Trupi i pajetë është gjetur dje pasdite në një hapësirë me drunjë, katër kilometra nga Lodev.
Zyrtarë të prefekturës lokale franceze thanë se trupi ishte gjetur pak pas mesditës, afër një rruge, ndërsa nuk kishte shenja të dhunës.
Organizuesit e festivalit e kishin pasur kontaktin e fundit me poetin të mërkurën në mëngjes, ndërsa ai të martën pasdite e kishte mbajtur një ligjëratë, raporton AFP.
Poeti Ali Podrimja lindi në Gjakovë në vitin 1942, ndërsa botues i tij në Francë ishte Cheyene.
Festivali ka kumtuar se i ndjeri Podrimja kishte botuar më se 20 libra me poezi dhe se konsiderohej njëra nga figurat më të mëdha të poezisë bashkëkohëse shqiptare.
Francë, gjendet i pajetë poeti Ali Podrimja
Mediat e Kosoves kane publikuar lajmin se poeti i njohur Ali Podrimja, zhdukur ne France qe me daten 18 korrik eshte gjetur i pajete. Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj, lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, në Francë.
Poeti Ali Podrimja humbi kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë Voix de la Méditerranée, në qytetin e Lodeve.
Autoritet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës falënderon autoritetet e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme Franceze, si dhe të gjitha institucionet e tjera lokale e qendrore në Francë për angazhimin maksimal të tyre në ndriçimin e këtij rasti.
I tronditur nga kjo humbje e madhe, ministri Hoxhaj, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.
Humbja e poetit Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.
/Zëri/