E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza IBM

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic do të zhvillojnë sot në Bruksel takimin e dytë në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd. Jozyrtarisht është bërë e ditur se ndër të tjera në tryezën e bisedimeve Brukseli ka nxjerrë çështjen e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM). Kryeministri Thaçi tha se me Serbinë nuk do të diskutojë asnjëherë çështjen e statusit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb, Ivica Dacic, pritet të takohen sot sërish në Bruksel me ftesë të Baroneshës europiane, Catherine Ashton.

Ende pa u ulur në tryezën e bisedimeve, për herë të dytë brenda pak javësh, të dy Kryeministrat kanë lënë për të kuptuar se pikëpamjet e tyre rreth mënyrës së normalizimit të marrëdhënieve nuk përputhen.

Kryeministri Thaçi ka çuar porosinë nga Zagrebi të mërkurën se nuk do të diskutojë me Dacic rreth statusit të Kosovës.

“Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë”, është shprehur Thaçi.

Duke folur ndërkaq për temat e takimit, kreu i Qeverisë ka thënë se në rend të parë është zbatimi i marrëveshjeve paraprake të arritura në Bruksel.

“E para që duhet të ndodhë është zbatimi i marrëveshjeve teknike të arritura në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në dy vitet e kaluara dhe ajo që duhet të ndodhë në mënyrë urgjente është largimi i strukturave paralele të sigurisë, mbetjet e Milosevicit në Kosovë, për të cilat gjithë bota e di se financohen e kontrollohen nga Serbia”, ka thënë Thaçi pas një takimi që ka zhvilluar me Kryeministrin e Kroacisë.

Temë tjetër që, sipas tij, duhet të zgjidhet në mënyrë urgjente është fati i të pagjeturve.

“Në mënyrë urgjente të zgjidhet është fati i më shumë se 1800 të pagjeturve në Kosovë”, ka shtuar ai.

Kryeministri serb, Ivica Dacic, ka thënë se e ka idenë e vet të zgjidhjes së problemit, por ka mohuar njohjen e pavarësisë.

“Thaçi mund të deklarojë çka të dëshirojë”, ka deklaruar Dacic.

“Është e pamundur që Serbia ta njohë pavarësinë e tillë të shpallur të Kosovës”, ka theksuar Dacic.

Ai ka thënë se Serbia është kundër normalizimit të marrëdhënieve, që nënkupton edhe arritjen e marrëveshjeve, por ka lënë të kuptohet se nga takimi i dytë me Thaçin nuk do të prodhojë ndonjë rezultat konkret.

“Ky nuk është kurrfarë takimi spektakular. Është pjesë e asaj për të cilën jemi pajtuar, që të vazhdojmë të bëjmë dialog, të flasim hapur për çështjet e hapura”, ka thënë Dacic.

Rreth takimit ka folur edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj. “Agjenda kohore dhe përmbajtjesore e temave që do të diskutohen është prezantuar edhe në takimin e parë, duke filluar pra nga largimi i strukturave paralele e deri te mënyra e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare pa bllokim nga Serbia, për këto tema në mënyrë të detajuar ka folur edhe Kryeministri gjatë raportimit të tij në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Burime të Express ndërkaq kanë bërë të ditur se ndër marrëveshjet të cilat do t’i hapë si temë kreu i qeverisë kosovare do të jetë ajo e menaxhimit të integruar të kufijve e njohur si IBM.

“Do të diskutohet se si të arrihet zbatimi i saj në praktikë”.

Por ky burim ka bërë të ditur se edhe Baronesha Ashton pritet të dalë me listën temave që pritet t’i diskutojnë Prishtina dhe Beogradi.

E një teme tjetër që ditëve të fundit është përfolur në opinion, e ka nxitur reagime të kundërta të palëve në dialog, është ajo për hapjen e zyrave ndërlidhëse në kryeqytetet e shteteve përkatëse.

Prishtina zyrtare tashmë është deklaruar e gatshme për të marrë një hap drejt implementimi të kësaj ideje.

Mirëpo, kundër saj ka dalë Beogradi. Ivica Dacic ditë më parë tha se në vend të zyrave do të diskutohet të dërgohen zyrtarë ndërlidhës e të cilët do të mund të monitoronin implementimin e marrëveshjeve të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ndryshe rreth takimit të dytë Thaçi-Dacic ka pasur edhe reagime të ndryshme nga spektri politik në vend.

Partitë opozitare sërish janë shfaqur në dysh sa i përket këtij takimit.

AAK’ja e Ramush Haradinajt vazhdon të përkrah dialogun dhe takimet mes krerëve shtetëror, ndërsa LDK’ja e Isa Mustafes është shfaqur me rezerva, por nuk e ka kundërshtuar atë për dallim prej Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Përkrahje kroate për bisedime

Kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanovic, pas takimit që ka pasur me Kryeministrin Thaçi ka folur para mediave edhe për dialogun ndërmjet dyja shteteve .

Milanovic ka thënë se beson që Qeveria në Beograd do të jetë pragmatike në bisedimet me Prishtinën.

“Kroacia është e gatshme që të ndihmojë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, po që se të dy palët kanë besim”, ka thënë Kryeministri kroat.

Mirëpo, sipas tij, zgjidhja është te palët.

“Nuk dëshiroj që këtë gjë ta imponoj”, ka thënë ai më tej.

Ndryshe, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, Thaçi është takuar edhe me Kreun e shtetit, Ivo Josipovic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›