E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryeza e PS, Rama: Ja si abuzon qeveria me energjinë e naftën

TIRANE-Partia Socialiste ka mbledhur sot tryezën për energjinë në kuadër të nismës ‘Për një Rilindje Shqiptare’ duke trajtuar cështje të industrisë, energjisë, burimeve natyrore e minerare.

Kryesocialisti Edi Rama akuzoi sot qeverinë se po përdor cdo burime energjie e industrie për përfitime financire të një grupi njerëzish dhe në dëm të popullit.
“Bota e ka një fabrikë cimentoje për 7 milionë njerëz, kurse Shqipëria ka një fabrikë cimentojë për cdo 300 mijë banorë”.

I fokusuar tek energjia elektrike dhe nafta, Rama u shpreh i shqetësuar se cmimet janë rritur padrejtësisht ndërkohë që në vend lulëzon kontrabanda.

“Kriza e CEZ tani është shtrirë tërësisht në KESH. Burimet natyrore shfrytëzohen pambarimisht dhe ne importojmë energji elektrike me 60 euro dhe eksportojme me 40 euro. Dhe humbjen nga keqperdorimi i energjisë elektrike qoftë për shkak të mungesës apo për shkak të korrupsionit është e barabartë me gjithë prodhimin e Vaut të Dejës. Sot energjia elektrike është 65 % më ë shtrenjtë se viti 2003, nafta 3 herë më e shtrenjtë, dhe këtu nuk ka keqkuptim. Evazioni fiskal po lulëzon, u konfirmua me fakte se kontrabanda e naftës është një aktivitet kriminal, por e organizuar politikisht”.

Sipas Ramës sot më shumë se kurrë, vendi kërcënohet nga kolapsi i furnizimit me energji.
Rama në tryezën e organizuar nga PS-ja për energjinë dhe burimet natyrore, duke theksuar se gjatë 7 viteve të fundit ka pasur një proces zhvillimi kaotik mbi një model i cili ka filluar të shtrijë pasojat e keqndërtimit të tij në gjithë jetën ekonomikike dhe shoqërore të vendit.

“Është një model klientelist që pengon konkurencën, i cili pengon transparencën dhe efiçencën dhe sot qeveria i ka shtrirë monopolet dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore duke vënë një të mirë publike në shërbim të një pakice sipërmarrësit klientelist të qeverisë të lidhur me interesat politike dhe financiare të një grupi në qeveri që kontrollon këtë fushë” ka theksuar Rama. 

Ai ka theksuar më tej se shumë projekte koncesionare kanë injoruar impaktin në mjedis ndërsa ka shtuar se janë akomuluar me shpejtësi para në këmbim të rrënimit të të gjithë potencialeve të kësaj pasurie publike. 

Në fjalën e tij Rama tha se rritja e faturave të energjisë elektrike ka dëmtuar buxhetin e çdo familjeje shqiptare.

Sipas kreut të PS, e rëndësishme është që vendi të arrije autonomi energjitike dhe të mund të shfrytëzojë të gjitha burimet e energjisë.
Rama ka shtuar më tej se vendi ynë ka mundësi të prodhojë energji përmes burimeve të rinovueshme, por theksoi se nuk është e drejtë rruga që po ndiqet nga qeveria në këtë drejtim.

“Potencialet hidrike njihen dhe me fuqinë e instaluar sot Shqipëria shfrytëzon më pak se gjysmën e asaj që ka. 98 përqind e prodhimit të sotëm bazohet në burimet e ndërtuar para viteve '90 dhe këto burime janë edhe shënjestra e fundit e politikës barbare” ka shtuar më tej Rama.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›