Tryeza e Presidentit, si do të negociohet për arritjen e kompromisit
Megjithëse palët janë angazhuar publikisht për të zhvilluar një tryezë bisedimi, mbajtja e kësaj tryeze fsheh mbrapa saj një skemë negociatash dhe bisedimesh të fshehta. Ashtu si në një lojë shahu, secila parti përpiqet të bëjë presion ndaj kundërshtarit në mënyrë që të fitojë epërsi. Prej dy ditësh që nga shprehja e vullnetit për dialog, dy partitë politike në vend janë shfaqur në publik me një shprehje të qartë tensioni. Në vend që të ulnin armët, për shkak të mungesës së besimit ndaj njëra-tjetrës, të dyja partitë kanë shfaqur dyzim në qëndrimet e tyre. Nga njëra anë shprehen se mbështesin dhe pranojnë dialogun, nga ana tjetër vazhdojnë të vendosin parakushte. PD-ja vazhdon të kundërshtojë moshapjen e kutive, ndërsa PS-ja po përgatitet në të njëjtën kohë edhe për tryezë, edhe për protesta. E gjithë kjo klimë tensioni pritet të pasqyrohet edhe në diskutimet paraprake që do të përcaktojnë fatin e mbajtjes së tryezës finale, që sipas burimeve pritet të zhvillohet ose në fund të këtij muaji, ose në fillim të muajit të ardhshëm. Nga njëra anë, PS-ja është e interesuar që kjo situatë të zgjidhet sa më parë, në mënyrë që të mos diskutohet në asnjë rast mundësia për t’u djegur mandatet e deputetëve; nga ana tjetër, PD-ja do të ndjekë një taktikë të zakonshme të saj, duke u përpjekur që ta zvarrisë sa më shumë nënshkrimin e kompromisit, deri në afatin limit të djegies së mandateve, në mënyrë që t’i ushtrojë presion PS-së për të hequr dorë nga kutitë apo nga ndonjë kompromis i vështirë.
Skema e negociatave
Burimet bëjnë të ditur se negociatat do të drejtohen nga Presidenti Topi, i cili do të luajë rolin e ndërmjetësit midis dy partive kryesore në vend. Kreu i shtetit, nëpërmjet këshilltarit të tij politik, vendos kontaktet me dy krerët më të lartë të politikës në vend; me kryeministrin Berisha dhe kryetarin e opozitës, Rama. Negociatori i Presidencës lidhet me drejtorin e kabinetit të kryeministrit dhe i dërgon atij mesazhin e Presidentit. Po i njëjti negociator lidhet me një ndër njerëzit më të afërt të kryetarit të opozitës, me sekretarin Politik apo Ligjor të kësaj partie dhe këtij i dërgon mesazhin e Presidentit. Më pas të dyja partitë politike angazhohen në hartimin e një liste kërkesash dhe propozimesh. Lista në fjalë i komunikohet Presidentit të Republikës, i cili bën shkëmbimin. Pra lista e socialistëve u dërgohet demokratëve dhe ajo e demokratëve u dërgohet socialistëve në mënyrë që palët të njihen zyrtarisht me kërkesat, kushtet dhe propozimet e secilës palë. Në përfundim, sërish negociatori vendos kontaktet me përfaqësuesit e dy partive të mëdha. Në një tryezë diskutimi ata vendosin të bëjnë pakt për pikat e negociueshme në listë dhe për ato të panegociueshme. Këto tryeza janë ato që përcaktojnë arritjen ose jo të kompromisit. Në një tryezë të këtij niveli, ku domosdoshmërisht përfaqësuesit e secilës parti mbajnë lidhje të vazhdueshme telefonike me liderët e tyre, vihen pikat mbi “i” se çfarë do të lëshojë njëra palë dhe deri ku mund të ndryshojë qëndrim pala tjetër. Gjithçka është në tavolinë, e cila shkruan faktin e një pakti që mund të firmoset, por edhe mund të refuzohet. Në qendër të këtij debati do të jenë tri figura kryesore; ajo e Presidentit Topi, e kryeministrit Berisha dhe e kryetarit të opozitës, Rama. Megjithëse edhe kreu i LSI-së po bën presion për të qenë faktor në këtë tryezë, ende nuk dihet se cili do të jetë roli i tij. Ndërkaq, ndërkombëtarët janë ata që japin garanci për suksesin e kësaj tryeze dhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje që do t’i japë fund krizës politike në vend. Në të kundërt, kostoja që do të paguajnë të gjithë do të jetë e lartë, por më e lartë do të jetë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
6 Shkurt 2010