Paloka: “Rama nuk ka qëllim të zbatojë Rezolutën e KiE-së”
Vetëm një ditë pas deklaratës së kreut të PS-së, Edi Rama, që bëri të ditur se PS-ja nuk tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive, ka reaguar dje Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Edi Paloka. Ai u shpreh dje gjatë një deklarate se Rama nuk ka si qëllim që të zbatojë Rezolutën e KiE-së. “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po dëshmon edhe një herë tjetër se zgjedhja dhe përcaktimi i tij është politika e rrugës dhe jo institucionet demokratike dhe shteti ligjor. Me qëndrimet e ditëve të fundit ai po u tregon të gjithëve se nuk ka aspak ndër mend të zbatojë kërkesat e qarta të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për futjen e opozitës në Parlament dhe për ngritjen e një komisioni hetimor, që duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Tashmë po bëhet përherë e më evidente se pushteti në tavolinë është e vetmja gjë që kërkon dhe e vetmja gjë që mund ta kënaqë Edi Ramën. Dhe gjithmonë në funksion të kësaj aventure absurde ai duket se e ka marrë me gjakftohtësi vendimin për djegien e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste. Fakti që Edvin Kristaq Rama po kërkon përmbysjen e qeverisë jo nëpërmjet zgjedhjeve dhe votës së lirë, do të thotë se mentaliteti marksist i baballarëve është ende i gjallë te çunat e rinj të Bllokut”, - është shprehur Paloka, ndërsa shtoi se Rama duhet ta harrojë se tremb PD-në me protesta. “Por Edi Taku-Nardi, siç po e thërrasin kohët e fundit në mjediset e Partisë Socialiste, duhet ta harrojë që mund të impresionojë njeri në këtë vend me kërcënimet për protesta dhe dhunë. Shqipëria është tashmë në rrugën e pakthyeshme të integrimit europian dhe historia e dikurshme e etërve të çunave të rinj të Bllokut është thjesht një kujtim i hidhur për të gjithë shqiptarët, që nuk do të përsëritet më kurrë”, - është shprehur Paloka.
6 Shkurt 2010