Prifti, bankave: Jepni kredi për koncesionet
Investimet në sektorin energjetik janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e tij dhe për këtë duhet një mbështetje financiare nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka thirrur dje në një takim të posaçëm pune drejtuesit e bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, por edhe organizmave ndërkombëtare financiare, për t’i përcjellë atyre kërkesën e tij, për të kredituar projektet koncesionare në vend. Prifti iu ka kërkuar direkt që ata të investojnë në këtë sektor dhe nga ana tjetër, iu ka kërkuar të mos hezitojnë, pasi garancia për likuidimin e kredisë garantohet ligjërisht. Ndërsa Prifti nga njëra anë ka kërkuar rritjen e portofolit të kredisë për koncesionit, bankierët nga ana tjetër kanë shpjeguar pse ata hezitojnë të japin kredi për këtë lloj biznesi. Sipas përfaqësuesve të disa bankave të nivelit të dytë, në shumë raste investitorët që kanë kërkuar kredi për koncesionet nuk kanë qenë seriozë dhe nga ana tjetër kanë nxjerrë problemet me pronën, si pengesë për të dhënë kredi. Por ministri Prifti është përpjekur t’i bindë se siguria ekziston dhe kjo garantohet më së miri me ligj, ndaj ata nuk duhet të kenë frikë të japin kredi. “Meqenëse ka qenë mungesa e financimit të këtyre veprave nga sistemi bankar në vend problemi kryesor, unë mendova që diskutimin në radhë të parë ta bëjmë me ju, me sistemin bankar në vend dhe më pas me institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe ky mund të jetë çelësi i suksesit tonë në të ardhmen. Janë bërë shumë përmirësime në kuadrin ligjor për koncesionet”, - tha ministri Prifti.
Ai tha se në qoftë se një vit më parë, një tryezë si kjo e organizuar po nga Ministria e Ekonomisë nxori dy probleme, ajo që quhej “step in right” për bankat, kjo sot është kthyer në ligj. Ai tha se janë bërë ndryshimet në ligjin për koncesionet, kur bankat e kanë të drejtën për ta marrë këtë koncesion dhe për ta menaxhuar vetë, ose për t’ia kaluar dikujt tjetër në menaxhim nëse bllokohet financimi. Prifti tha ndër të tjera se një shqetësim tjetër para një viti ishte tarifa afatgjatë e garantuar për koncesionarët. “Pra të ketë një tarifë të ditur për 10-15 vjet që kredituesi të ketë garanci për investimin e vet. Edhe kjo është realizuar për hidrocentralet deri në 15 megavat. Enti Rregullator i Energjisë sot ka të drejtën të ofrojë kontrata, që të japë garanci për vlerën e energjisë deri në 15 vjet. Kurse për hidrocentralet që janë mbi 15 megavat praktika që është ndjekur nga qeveria: koncesioni ka shkuar në Parlament dhe Parlamenti ka miratuar një çmim afatgjatë për koncesionarët”, - tha Prifti, duke garantuar se dhe ky shqetësim është zgjidhur. “Ne në fakt kemi përfunduar draftin përfundimtar të ligjit të ri për energji të rinovueshme. Për pak ditë ky draft që është bërë me konsulencë ndërkombëtare, e kemi dërguar në sekretariatin e energjisë në Vjenë, kemi marrë mendime pozitive dhe së shpejti do ta çojmë për mendim në grupe të tjera të interesit dhe pastaj do ta dërgojmë në qeveri. Në këtë ligj do të fiksohet periudha e tarifës së subvencionuar dhe të garantuar për 15 vjet; do të jetë e fiksuar në këtë ligj dhe do të jetë një garanci më shumë për financuesit e këtyre projekteve”, - tha Prifti. Ministri theksoi se ligjërisht janë të gjitha garancitë kryesore për bankat apo për institucionet financiare për të kredituar koncesionet në fushën e energjetikës. Ai e ka cilësuar të pajustifikueshme frikën e sistemit bankar për të mos u përfshirë në financime të sistemit energjetik dhe sidomos në hidrocentrale. “Kjo lloj sjelljeje dhe këtë lloj frike unë mendoj se është e pajustifikueshme, pasi kuadri ligjor ekziston dhe garancitë ekzistojnë. Unë do ju ftoja t’i shikoni më me precedencë investimet e këtij lloji. Është energji e rinovueshme. Ne jemi duke ecur në anëtarësimin e plotë në BE. Ata që janë përfaqësues të BE-së e dinë shumë mirë që në BE kanë direktiva shumë të qarta në energjinë e rinovueshme. Është një shans i madh të investosh në këtë fushë”, - ka theksuar ndër të tjera në fjalën e tij ministri Prifti. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të KESH, OST, OSSH, operatorët kryesorë të menaxhimit të energjisë elektrike, por veç bankave të nivelit të dytë merrnin pjesë dhe përfaqësues të BERZH, BEI, KfW dhe institucioneve të tjerë financiare ndërkombëtare.