E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kohë të vështira të një epoke të artë

Selami Xhepa 

Ndoshta janë ditët më të vështira për ekonominë botërore, që prej viteve të Depresionit të Madh. Do të mbahet mend mirë në mendjen e njerëzve si vit që ngërtheu në vorbullën e vet thithëse një sërë tregjesh, duke tharë jo vetëm likuiditetin në tregjet bankare dhe monetare, por dhe raftet e dyqaneve të ushqimeve dhe tankerët e boteve të naftës. Simbolet e kapitalizmit tradicional, “Merril Lynch” dhe “Lehman Brothers” u fikën, sikur të mos kishin ekzistuar që prej më shumë se 150 vjetësh, duke gëlltitur 613 miliardë dollarë borxhe (vetëm të Lehman, pasi Merril u ble me 50 miliardë nga Banka e Amerikës). Nëse llogarisim pasojat e ngjarjeve të së premtes së kaluar në Wall Street, sipas “Economist” pakësimi i likuiditetit në tregjet kapitale shkon në rreth 2 trilionë dollarë amerikan, shifër kjo e barabartë me afërsisht 15% të GDP-së së SHBA. 
Nga ana tjetër, vitet e arta të rritjes shpërthyese dhe inflacionit neglizhent, të nxitura nga rritjet e produktivitetit me origjinë revolucionin në teknologjitë e informacionit (bumi i dot-com) dhe importeve me çmime të ulëta nga vendet në zhvillim (Kina dhe India, veçanërisht), tashmë janë një kujtim i shkuar. Ritmet e rritjes ekonomike janë reduktuar, ndërsa inflacioni ka filluar të ngrejë krye, duke e çuar botën në kujtesën e viteve të stagflacionit të mesit të viteve ’70. Siguria ushqimore dhe ajo energjetike duket se kanë hyrë në një konflikt mes tyre, ku rritja e njërës shkakton dobësim të tjetrës.
Kjo rritje ndërvarësish mes tregjesh dhe mes vendesh, e ka bërë qytetarin global më vulnerabël, më të prekshëm se kurrë më parë. Oponentët e globalizmit dhe të hapjes, kanë një tjetër rast të përsërisin thirrjet e tyre për proteksion dhe ngritje muresh. Forcat centrifugale janë më të fuqishme se kurrë dhe rreziqet e kthimeve mbrapsht janë eminente. Dhe i pamë këto forca në veprim në shumë vende gjatë këtij fillimviti në reagim të krizës ushqimore. Natyrisht që në kohë të tilla të vështira, politika të tilla gjejnë dhe shumë mbështetës dhe përkrahës, sepse shtohen humbësit, të dëmtuarit dhe të prekurit keqas nga këto zhvillime.
Nuk është e vështirë që të përshkruash një tablo të zymtë në këto ditë të zymta. Dhe të tilla gjen me shumicë kohët e fundit, në të gjithë shtypin e huaj profesional. Por, ka dhe një shikim jo kaq dramatik nga sa mund të imagjinohet. Vërtet krizat janë bërë më të shpeshta, më të ashpra, më shpejt të përhapura nga një vend në tjetrin, më të përgjithshme; por ato janë njëherësh më lehtësisht të përballueshme. Ne kemi sot dije të mjaftueshme historike, kompetencë të pakufishme teknologjike, mundësi të pamasa koordinimi politik në kohë reale dhe instrumente të bollshme në dispozicion për një reagim adekuat dhe efektiv. Tashmë kemi një memorie historike të gjallë të kujtimeve të krizave dhe gabimeve të bëra nga politikëbërja; revolucioni i bio-teknologjisë dhe nano-teknologjisë sërish do ta shpëtojë njerëzimin nga makthi i parashikimeve malthusiane dhe neomalthusiane, tregjet ndërbankarë kanë rritur reagimin e agjentëve privatë, duke mos mbetur vetëm në “mëshirën” e ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore (megjithëse ata mbeten të pazëvendësueshëm, por tashmë nuk janë të vetëm). Menjëherë sektori bankar ka mobilizuar më shumë se 70 miliardë dollarë fonde për të shpëtuar bankat që mund të përjetojnë vështirësi likuiditeti. Spekulimet e tregtarëve të naftës gllabëruan miliona dollarë nga industritë dhe konsumatorët botëror, por sërish ekuilibri i tregut po rivendoset, në nivelet (e larta) që përcaktojnë fondamentet ekonomike të raporteve kërkesë-ofertë. Qetësia duket sikur ka rënë në tregjet ushqimore, megjithëse akoma është shpejt për të predikuar shërimin e plotë të sëmundjes më të thellë nga e cila vuajnë këto tregje.
Nëse e besojmë shprehjen konfuciane se, “jo çdo e keqe vjen për keq”, ky është rasti ku mund të aplikohet përsa i përket impakteve të kësaj krize në vendin tonë. Ndërsa tregjet evropiane dhe ato aziatike janë mjaft volatile për shkak të ndërvarësive të rritura mes tyre, ekonomia jonë mbetet imune për shkak të ekspozimeve modeste dhe neglizhente ndaj këtyre zhvillimeve. Lëvizjet modeste kapitale, impakti modest i kërkesës efektive të huaj mbi eksportet dhe rritjen ekonomike, ekspozimi neglizhent i sektorit bankar vendas ndaj tregjeve të huaja të kredive, të gjithë kanalet e shtrirjes së krizave nuk janë favorizuese. Ky është ndoshta i vetmi rast kur mbyllja ekonomike vjen për mirë!
Duket se tashmë kemi hyrë në një fazë shumë interesante dhe delikate për ekonominë botërore, që Greenspan e quan si epoka e turbulencave. Tipar dallues i saj ndoshta është se teoritë ekonomike të së kaluarës nuk duket se janë shumë ndihmuese. Sot ne duhet të jemi njëherësh kejnsianistë dhe monetaristë dhe nëse ekonomia globale do të simbolizohej me një automobil, në vendin e shoferit duhet të ulen njëherazi në pedalen e gazit/frenave dy palë këmbë dhe timoni duhet të drejtohet nga dy palë duar. Menaxhimi i prosperitetit shpërthyes që po përjeton shoqëria njerëzore gjatë tre dekadave të fundit, është bërë një sipërmarrje edhe më e vështirë.
* Këshilltar i Kryeministrit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›