E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E hëna e zezë” që tronditi financat dhe ekonominë globale

Prof.Dr. Anastas Angjeli 

E hëna e 14 shtatorit 2008, e pagëzuar tashmë si “e hëna e zezë” për ekonominë amerikane, tregjet financiare ndërkombëtare dhe ekonominë globale, nuk ishte e papritur. Ajo erdhi pas gati më shumë se një viti, të asaj “të marte të zezë” të qershorit 2007, kur “tërmeti financiar” lëkundi jo vetëm bursën e Shangait, por gjithë tregjet financiare ndërkombëtare. Rrathët e këtij tërmeti nuk pushuan së shpërndari në ekonominë dhe financat globale, duke dhënë herë pas here goditje të forta, të cilat, me sa duket, u finalizuan  me falimentimin e një prej katër bankave më të fuqishme të investimeve në SHBA, “LEHMAN BRO-THERS”, që u cilësua si “Tërmeti i Wall Street-it”. Analistët e tregjeve financiare ndërkombëtare, të bankave, të ekonomisë, të institucioneve ekonomike e financiare ndërkombëtare, politikanë dhe liderë të  shteteve m të fuqishme, nuk mund të mos reagonin menjëherë, ashtu sikurse edhe, ndikimet, implikimet dhe reagimet e vetë ekonomisë dhe financave globale, tregjeve financiare ndërkombëtare dhe bursave të mallrave, u shfaqën dukshëm. Por çfarë ndodhi...?

* * *
“TERMET NE WALL STREET” - KRIZA E PARALAJMERUAR
DEL NE SIPERFAQE
Falimentimi i një ndër katër bankave më të mëdha të investimeve në SHBA, bankës 158-vjeçare”, LEHMAN BROTHERS” ishte “një shpërthim në sipërfaqe i krizës financiare” (por jo ndoshta fundi i saj) dhe tronditjeve që po kalon ekonomia amerikane, në veçanti, dhe ajo globale në përgjithësi. Natyrisht që, në të, ka ndikuar kriza e njohur financiare dhe e kredive në SHBA, ose e quajtur ndryshe “kriza e mortgage-it” (housing), rënia e vlerës së dollarit në tregjet ndërkombëtare, tronditjet gati dyvjeçare në tregjet financiare ndërkombëtare, tronditjet në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe të energjisë, kriza e çmimeve të produkteve bujqësore dhe ushqimore etj. Të gjithë këta faktorë kanë qenë të pranishëm, më shumë se kurrë (për gati dy vjet) në ekonominë amerikane dhe padyshim, edhe në atë globale. Kësaj, po t’i shtojmë dhe vazhdimin e thellimit të zbatimit të politikave të gabuara (dhe të shfrenuara) kredituese dhe investuese të kësaj banke në sektorin e “housing”, (liria e madhe në dhënien e kredive për shtëpi, rritja e paaftësisë paguese dhe kthimit të këtyre kredive etj.) kuptohet qartë, se pleksja e këtyre faktorëve dhe elementëve, ishin në themel të kësaj ngjarjeje tronditëse. Nga ana tjetër, sinjale për tronditje dhe rritje të riskut në sistemin financiar (bankar) amerikan, tashmë ishin dhënë. Vetëm pak kohë më parë, një nga bankat më të fuqishme të SHBA, Bank of Amerika, nxitoi të blejë aksionet e bankës në prag falimentimi “MERRILL LYNCH”... për një çmim 50 miliardë dollarësh amerikan, në një kohë që administrata amerikane e presidentit Bush, kishte miratuar në Kongres, një paketë mbështetëse për ekonominë prej 150 miliardë dollarë, për të injektuar rigjallërimin e saj.
Padyshim që ngjarja e “të hënës së zezë” nuk mund të jetë pa pasoja jo vetëm dhe thjeshtë në ekonominë amerikane, por edhe në atë globale. Dhe kjo nuk mungoi.
Falimentimi i bankës “LEHMAN BROTHERS”... (pavarësisht përpjekjeve dhe negociatave për shpëtimin nga likuidimi i aseteve të saj, tashmë të filluara) dëshmojnë se tronditjet e zgjatura të sistemit financiar-bankar dhe të ekonomisë amerikane po japin efektet e veta në këtë ekonomi dhe në jetën sociale. Kjo jo thjesht për faktin se 25.000 të punësuarit në këtë bankë, “në mëngjesin e të hënës së zezë” u gjendën të papunë deri në sqarimin përfundimtar të kësaj situatë, por edhe për faktin se “frika” e “sistemit zinxhir apo domino”, apo të një kolapsi në sistemin bankar dhe implikimet që vinë prej tij, mbetën potenciale. Nga ana tjetër, implikimet dhe reagimet në sistemin financiar amerikan dhe ekonominë globale nuk munguan. Dollari amerikan pas një forcimi në raport me euron, këto dy ditët e fundit, shënoi përsëri një ulje. Inflacioni ka arritur në 5.4%, ndërkohë që çmimi i të gjithë llojeve të energjisë (naftë, gaz, energji elektrike etj., ka pasuar një rritje të lehtë. Shoqëria më e madhe e sigurimeve në SHBA dhe në botë, AIG, (American International Group) vetëm dy ditë pas falimentimit të bankës “LEHMAN BROTHERS”, i bëri kërkesë autoriteteve të shtetit amerikan për “ndihmë dhe mbështetje financiare” për të përballuar situatën e saj të vështirë financiare, për të kryer disa nga  bizneset e saj. Disa grupe të tjera financiare e bankare ndihen të tronditura. Situata e kredive të 20 bankave më të mëdha ka pësuar një rënie të vlerës prej 300 miliardë dollarësh, vlerë kjo e njëjtë me atë që Rezerva Federale përdori për të nxitur kreditimet nga ana e saj. Secila bankë po përpiqet të “heqë qafe rrezikun nga vetja e saj”. Kësisoj, procesi i shkrirjeve të tyre, blerjes dhe shitjes është prezent në tregun financiar... Ndërsa, nga ana tjetër, tronditjet në bursat e New York-ut, Azisë, Evropës etj., u ndien menjëherë, ku indekset e tyre dhe vlerat e aksioneve shënuan ulje të menjëhershme. Kjo bëri që humbjet e disa bankave dhe investitorëve në bursa, gjatë këtyre dy ditëve të ishin të mëdha, duke rritur më tej disi pasigurinë në këto tregje, veçanërisht është ulur siguria në investimet në bonot e thesarit.
Falimentimi i kësaj banke dhe tronditja e tregjeve financiare ndërkombëtare, gjithashtu u shoqërua menjëherë me uljen e mëtejshme të çmimit në tregjet ndërkombëtare të naftës (një fuçi naftë u shit mesatarisht me 90 USD), si rrjedhojë e uljes së kërkesës për naftë etj.
REAGIMET NDAJ KRIZES
Gjatë këtyre dy viteve, që në fillimet e deri në shpërthimin e kësaj krize, situata jo vetëm që nuk ka qenë jashtë vëmendjes së qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare, por, përkundrazi një sërë nismash dhe veprimesh të tyre, janë përdorur për të minimizuar risqet dhe pasojat e saj. Të tilla kanë qenë:
- takimet, vendimet, nismat e Federal Rezervës në SHBA për ndryshimet në politikën monetare dhe, disa herë, atë të interesave përfshi dhe atë të ditës së djeshme (që vendosi uljen e përqindjes së interesave me 0.25%);
- takimet dhe nismat e FMN për rritjen e vëmendjes ndaj krizës globale, të kredive, asaj të naftës dhe të çmimeve të produkteve ushqimore;
- takimet dhe vendimet e OPEC-ut për kuotat e prodhimit dhe të çmimit të naftës;
- takimet dhe vendimet e OKB-së për krizën ushqimore;
- takimet dhe vendimet e nismat e G-7, G-8 për krizën e tregjeve financiare ndërkombëtare, të tregjeve ndërkombëtare të naftës dhe të çmimeve të produkteve ushqimore;
- vendimin e qeverisë amerikane për “injektimin e ekonomisë amerikane “përmes një mbështetjeje prej 150 miliard USD;
- nismën e dhjetë bankave private amerikane për krijimin e një fondi prej 70 miliardë USD amerikan për mbështetje për minimizimin e risqeve të kësaj krize;
- Banka Qendrore Evropianë (BQE) hodhi 70 miliardë euro likuiditete në bursat evropiane, me qëllim shmangien e tensioneve, duke shënuar kështu operacionin e dytë financiar për minimizimin e krizës financiare (në operacionin e par hodhi 30 miliardë euro);
- m në fund, vendimet e mbledhjes së ditës së martë të Federal Rezervës Amerikane jo vetëm në drejtim të uljes së interesave, por edhe për zgjerimin e listës së saj të kolateralit që do të pranojë për huat në një dritare të uljes së çmimeve. Natyrisht, një vendim i rëndësishëm i saj ishte “shpëtimi” nga falimentimi i shoqërisë më të madhe në botë të sigurimeve AIG. Duke i dhënë një mbështetje prej 85 bilionë USD, në këmbim të posedimit dhe administrimit të 80% të aksioneve të saj.
Padyshim që “tërmeti i të hënës së zezë në Wall Street, zgjoi reagimin e menjëhershëm të presidentit të SHBA, Georg W.Bush, i cili nuk ngurroi të jepte garanci, se në aspektin afatgjatë ekonomia amerikane ka baza të shëndosha dhe se ajo do të jetë në gjendje ta përballojë këtë krizë, duke synuar jo vetëm dhe thjeshtë uljen e panikut, por edhe kthimin e besimit publik në sistemin financiar amerikan. Ndërkaq, shpërthimi i krizës financiare në SHBA u vu në qendër të debateve edhe të të dy kandidatëve për president, senatorit demokrat Barack Obama dhe atij republikan, Jon McCain, të cilët nuk ngurruan të mbanin qëndrimet dhe të jepnin mendimet alternative të tyre. Kandidati demokrat për president Obama, fajësoi administratën e presidentit Bush, duke theksuar se ka ulur elementët e mbikëqyrjes financiare dhe se kriza do të rëndojë më tej te konsumatorët amerikanë, duke e cilësuar këtë krizë si krizën financiare më të rëndë që nga viti 1930. Ndërsa kandidati republikan për president i SHBA, senatori McCain, pranoi gjithashtu se sistemi i operacioneve financiare të sistemit financiar amerikan duhet të përmirësohet dukshëm, duke u bërë edhe më transparent.
Gjithashtu, kriza aktuale financiare në SHBA, duke dhënë implikime dhe shqetësime të menjëhershme në tregjet financiare ndërkombëtare dhe në ekonominë globale, i vuri në lëvizje dhe në veprim jo vetëm FED-in në SHBA (mbledhja e djeshme e tij dhe vendimi për uljen e mëtejshme të interesave me synim lehtësimin e marrjes së kredive dhe zhvillimin e biznesit dhe “shpëtimin” e AIG-së), por edhe të grupimeve më të fuqishme financiare (në Londër filluan negociatat për “një operacion shpëtimi nga likuidimi të aseteve të “LEHMAN BROTHERS”, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare (FMN, BB) dhe vende të G-7 dhe G-8, dhe ato të BE-së) jo vetëm që ndjekin me vëmendje këto zhvillime, por pritet të reagojnë me masa konkrete. Në këtë kontekst, kryeministri  i Spanjës, Zapatero, është nga të parët liderë të vendeve evropiane që jep alarmin se kjo krizë po zbret edhe në Evropë, duke prekur tashmë vendin e tij, Spanjën.
PARALELE DHE REFLEKTIM PER EKONOMINË SHQIPTARE
Kriza financiare globale, pavarësisht nga shkalla e implikimit dhe e ndikimit në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar dhe e ndjekjes së kujdesshme të deritashme të bërë nga Banka e Shqipërisë, nuk mund të jetë jashtë vëmendjes së autoriteteve shtetërore, institucioneve dhe agjencive ekonomike e financiare, BSH dhe vetë sistemit bankar të vendit tonë. Jo vetëm për këtë fakt, por edhe për brishtësinë e stabilitetit makroekonomik dhe të konsolidimit të financave publike dhe të vetë sistemit bankar të vendit tonë, një kujdes i tillë bëhet edhe më i domosdoshëm.
Më konkretisht (pasi fenomene të ngjashme-të kredive të këqija- nuk mungojnë edhe në sistemin tonë bankar) mendoj se kriza aktuale duhet të shërbejë si “një thirrje”, për rritjen e mbikëqyrjes së sistemit financiar-bankar, sidomos për fenomenin e kredive të këqija, veçanërisht duke u nisur nga rezultati jo pozitiv i disa bankave të vogla, në 3 dhe 6-mujorin e parë të këtij viti dhe i rrezikut të fenomenit zinxhir, jo vetëm në këtë sektor, por edhe në disa sektorë të tjerë, veçanërisht në atë të ndërtimit, ku “zinxhiri i borxhit është shumë i gjatë” dhe rreziku i tronditjes mund të jetë shumë i madh.
Gjithashtu, në qendër të vëmendjes në fushën ekonomike, financiare e sociale në vend, mbeten kryerja e reformave të munguara në fushën e sistemit të sigurimeve shoqërore, të sistemit të pensioneve private dhe suplementare, të reformave të sigurimeve shëndetësore, risku buxhetor dhe social i të cilave, në gjendjen aktuale, bëhet gjithnjë edhe më i madh.
Nga ana tjetër, duke marrë në konsideratë pleksjen e krizës financiare globale me atë në tregjet e mallrave dhe veçanërisht në tregjet ndërkombëtare të naftës, autoritetet shtetërore dhe agjencitë përgjegjëse (organet fiskale, Autoriteti i Konkurrencës, Inspektorati i hidrokarbureve etj) duhet të rrisin forcën e tyre kontrolluese dhe goditëse ndaj spekulimeve në tregun shqiptar të karburanteve, ku megjithëse çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare po ulet (një barrel = 90 USD, aq sa ishte gati më shumë se një vit më parë) çmimi i saj në tregun shqiptar është ulur në mënyrë të papërfillshme, duke rënduar fiktivisht dhe padrejtësisht koston e produkteve në vend dhe nivelin e jetesës së konsumatorëve.                                                               

* * *
Kriza financiare që shkaktoi “tërmetin në Wall Street”, tashmë i ka shpërndarë valët e saj goditëse në gjithë ekonominë globale. Por ndërsa shumë ekonomi të fuqishme, përfshi dhe atë amerikane ku kjo krizë ka zanafillën e vet, do të munden ta përballojnë  atë, shumë ekonomi të vendeve të tjera do të përballen me pasoja të rënda dhe tronditje të mëdha. Edhe ekonomia shqiptare do të jetë e ndjeshme, e prekur prej saj. Prandaj reflektimi duhet të jetë i kujdesshëm, profesional, ligjor dhe administrativ, me qëllim që rreziqet e kësaj krize globale të minimizohen sa më shumë për situatën ekonomike e sociale të vendit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›