Behxhet Pacolli do jetë përsëri kandidat për President

Kosova, në kolaps politik, precedenti “Sejdiu” po çon në gjurmët e tij edhe Behxhet Pacollin- dilema nëse do shpërndahet parlamenti apo është koha për konsensus lidhur me ndryshimet e mundshme kushtetuese
Këshilltari i parë i Behgjet Pacollit, Ibrahim Gashi ka thënë se presidenti është i gatshëm ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk ka asnjë koment më shumë në lidhje më këtë vendim. Këtë deklaratë e dha pikërisht sot Gashi në Presidencë, kur mediat prisnin që Pacolli t’i drejtohet publikut, pasi që e kishte marr vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankesën e LDK-së për procedurën e zgjedhjes së tij president.
Duke konsideruar se çështja e Pacollit do të kthehet në “pikën zero”, Gashi ka thënë se Behgjet Pacolli do të jetë përsëri kandidat, pasi ai, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e ka shkelur Kushtetutën.
Shkresa e Kushtetueses: Shpallet aktgjykimi për zgjedhjen e Pacollit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar arsyetimin e vendimit të saj e shpall të pavlefshëm votimin e 22 shkurtit, për Pacollin president. Aty nuk jepet ndonjë rekomandim i qartë se çfarë duhet bërë në vazhdim, por pranohet problemi me nenin 86 të Kushtetutës. “Vendimi i gjykatës, që nuk mund të jetë pa pasoja, e imponon atë përfundim. Gjykata, duke deklaruar thjesht që procesi zgjedhor i 22 shkurtit 2011 e shkeli Kushtetutën, në mënyrë implicite pranon që nuk ka kompetencë për t’i urdhëruar Kuvendit që të rivotojë”- thuhet në vendimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, që iu është shpërndarë palëve. “Gjykata është e mendimit se formulimi i nenit 86, “Zgjedhja e Presidentit”, të Kushtetutës duhet të ekzaminohet në tërësi. Interpretimi i nenit mund të jetë vetëm se duhet të ketë më shumë se një kandidat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me qellim që procedura e votimit të vihet në lëvizje. Në veçanti, në paragrafin 5 të tij, në mënyrë eksplicite përcaktohet se, nëse 2/3-a e shumicës nuk është arritur nga asnjë kandidat në raundin e parë të votimit, atëherë, zhvillohet edhe një raund i tretë i votimit midis “dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave gjatë raundit të dytë”. Për më tepër, neni 86.6 i Kushtetutës, gjithashtu shprehet për më shumë se një kandidat: “Nëse asnjë nga kandidatët nuk zgjidhet”. Neni 27 (4) dhe (5) i Rregullores së punës së Kuvendit përmban dispozita të ngjashme”- thuhet mes tjerash në vendim. Aty përfshihen edhe argumentet e dy gjyqtarëve që votuan kundër. Në arsyetim jepet edhe mendim mospajtues i dy gjyqtarëve Robert Carolan dhe Almiro Rodrigues. “Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për t’i urdhëruar Kuvendit që t’i nominojë së paku dy kandidatë për Zyrën e Presidentit ose për t’i urdhëruar Kuvendit të rivotojë për të katërtën herë. Megjithatë, që në fillim, kur Gjykata përcakton që ka pasur shkelje të Kushtetutës në procedurën zgjedhore të Kuvendit, Kushtetuta me pas urdheron qe Kuvendi te shperndahet dhe zgjedhjet e reja te pergjithshme te mbahen brenda dyzet e pese ditesh. Duke deklaruar qe procesi zgjedhor i 22 shkurtit 2011 e shkeli Kushtetuten, kjo Gjykate deklaroi qe Kuvendi nuk e kishte zgjedhur Presidentin pas raundit te trete te votimit. Kushtetuta me pas urdheron shperndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja te pergjithshme brenda 45 ditësh. Vendimi i sotëm i gabuar i Gjykatës, që nuk mund të jetë pa pasoja, e imponon atë përfundim. Gjykata, duke deklaruar thjesht që procesi zgjedhor i 22 shkurtit 2011 e shkeli Kushtetutën, në mënyrë implicite pranon që nuk ka kompetencë për t’i urdhëruar Kuvendit që të rivotojë. Pasi Gjykata nuk ka kompetencë për ta shpallur zgjedhjen jokushtetuese pa asnjë mjet, vendimi i shumicës imponon shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të përgjithshme”- thuhet në arsyetimin e dy gjyqtarëve mospajtues. Gjykata ka hedhur poshtë pretendimin e palës ankuese se u shkel rregullorja e punës me rastin e pauzës së kërkuar nga PDK-ja, duke thënë se nuk u paraqitën dëshmi për këtë dhe për më tepër, është e thirrur të interpretojë vetëm shkeljet e supozuara të Kushtetutës.
Thaçi nuk e quan dramë vendimin e Kushtetueses, tregohet i gatshëm për ta ribërë Presidentin
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka folur sot për vendimin e Kushtetueses për zgjedhjen e Presidentit Pacolli. Dhe sipas tij, sërish është thjesht një procedurë që do të kryhet shpejt. Ai ka thënë se qeveria e respekton secilin vendim të Gjykatës, dhe se do të ndërmerren veprime konkrete për ta çuar në vend atë. Ai ka thënë se qysh në javën e ardhshme do të “mbushen zbrazëtirat”, dhe se gjithçka do të kryhet me sukses.
...