E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tsacheva: Bullgaria mbështet Kosovën

SOFJE- Me ftesë të kryetares së Kuvendit Popullor të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, po qëndron në një vizitë zyrtare dyditore në Sofje.
Në takimin zyrtar midis dy kryeparlamentarëve, Krasniqi shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe për mbështetjen që Republika e Bullgarisë i ka dhënë Kosovës në të gjitha planet dhe sidomos pavarësisë së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në takim u vlerësuan lartë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, të konkretizuara edhe me marrëveshje të nënshkruara dhe të tjera në përgatitje e sipër.

Kryetarja Tsacheva shprehu admirimin e saj për arritjet e Kosovës, sidomos në ndërtimin e një shoqërie multietnike dhe për Kushtetutën e saj të re. Ajo rikonfirmoi gatishmërinë e Kuvendit që përfaqëson për ta ndihmuar Kuvendin e Kosovës në çdo nevojë që ka. Zonja Tsacheva e priti dhe e pranoi me kënaqësi ftesën e zotit Krasniqi, për ta vizituar Republikën e Kosovës.

Të dy udhëheqësit e kuvendeve u pajtuan për nevojën e thellimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve dhe vendeve tona, për formimin e grupeve parlamentare të miqësisë dhe për memorandume bashkëpunimi.
(m.a/telegraf/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›