E Diel, 1 Nëntor 2026

“Firon” ngarkesa me 100 kile heroinë

Një agjent i sektorit të Antidrogës në policinë gjermane ka mbërritur në Shqipëri, në ditët e para të muajit gusht për të marrë pjesë në operacionin e arrestimit të 33-vjeçarit Gazmend Hasaj. 

Trazhgim Sokolaj

Ai u kap më 5 gusht 2008 në Tiranë, vetëm pak orë pasi një bashkëpunëtor i tij në Gjermani, shtetasi Edis Muja, kishte tërhequr pakon postare me drogë të nisur nga Shqipëria. Shkak për mbërritjen urgjente të agjentit të antidrogës gjermane, ka qenë informacioni se nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë do të dërgohej në këtë periudhë një ngarkesë me rreth 100 kilogramë heroinë. Një fakt i tillë ka alarmuar autoritetet gjermane, të cilat menjëherë kanë dërguar në Shqipëri agjentin e tyre, me qëllim koordinimin e operacionit për kapjen e trafikantëve. Në një takim me autoritetet e policisë dhe Prokurorisë shqiptare, të zhvilluar pak kohë pas mbërritjes së agjentit gjerman në Tiranë, ai u ka pohuar zyrtarëve vendas informacionin për përgatitjen e ngarkesës me 100 kilogramë heroinë, që do të trafikohej në Gjermani. Një informacion i tillë ka shkaktuar reagim të menjëhershëm edhe tek policia dhe Prokuroria shqiptare, ndërsa Krimet e Rënda kanë hapur menjëherë procedimin penal.
Super ngarkesa me heroinë
Të ndodhur përballë informacioneve që flisnin për ngarkesën më të madhe të heroinës të qarkulluar ndonjëherë brenda Shqipërisë, hetuesit kanë organizuar në detaje dhe në sekret të plotë aksionin për kapjen e trafikantëve. Në koordinim me agjentin gjerman është vendosur, që ngarkesa të lejohet të kalojë deri në Gjermani tek pritësi i saj, i cili do të arrestohej sapo të paraqitej për të kërkuar pakon postare. Një procedurë e tillë njihet në Kodin e Procedurës Penale si “dorëzim i kontrolluar” dhe është aplikuar disa herë me sukses nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në këtë mënyrë agjentët e policisë shqiptare kanë organizuar monitorimin e veprimeve të personave, që dyshohej se do të bënin lëvizjen e ngarkesës me drogë. Sipas të dhënave të policisë gjermane, gjatë ndjekjes disamujore, që ishte bërë ndaj emigrantit shqiptar në Gjermani Edis Muja, është mësuar se ai po kontaktonte me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri dhe po përgatiste trafikimin e ngarkesës me drogë. Nisur nga sasia e madhe e narkotikut policia gjermane ka dërguar një agjent të saj në Tiranë. Në këtë mënyrë, më 4 gusht në Gjermani, Edis Muja ka tërhequr pakon postare, që sipas hetimeve ishte nisur nga Tirana prej të dyshuarit Gazmend Hasaj. Sapo është paraqitur për të marrë pakon në zyrën postare, Edis Muja është vendosur në pranga nga policia gjermane. E cila ka hapur menjëherë kutinë postare për kontroll, por ka gjetur vetëm 11 kilogramë marijuanë. Megjithëse ngarkesa në pakon postare nuk kishte qenë ajo që pritej, një ditë pas arrestimit të Edis Mujës në Gjermani, policia shqiptare arrestoi në Tiranë dërguesin e pakos, të dyshuarin Gazmend Hasaj për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit “burg pa afat”.

Dosja e drogës e hapur në dy shtete

TIRANE – Policia e shtetit në Tiranë lajmëroi më 5 gusht 2008 se u arrestua në Tiranë Gazmend Hasaj, vjeç 33, nga Shkodra. “Ndalimi i tij është bërë pas një operacioni të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe me policinë dhe autoritetet gjyqësore gjermane, pasi më 4 gusht 2008 është arrestuar në Gjermani për trafikim nga Shqipëria në Gjermani të 11 kg marijuanë shtetasi shqiptar Edis Muja”, tha policia. Dy ditë pas arrestimit në Tiranë, Gazmend Hasaj doli në Gjykatën e Krimeve të Rënda për caktimin e masës së sigurisë, ku u vendos “burg pa afat”. Ndërkaq në Gjermani është arrestuar personi tjetër i implikuar në këtë episod, i cili u kap bashkë me 11 kile marijuanë, e cila ndodhet e sekuestruar në Gjermani. Është ende e paqartë se si do të vazhdohet më tej hetimi i kësaj dosje, megjithatë burimet thonë se njëri nga të arrestuarit do të ekstradohet në shtetin tjetër me qëllim gjykimin për akuzën e trafikut të narkotikëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›