Vrasja e Mirit të Xhikes, rinis procesi për të akuzuarin

Lavdërim Tufa do të rigjykohet në shkallën e parë në kryeqytet, pas rikthimit të saj nga gjykata e lartë
Tufa akuzohet se vrau pronarin e "Kartodrom 2000", në mars 2003, ndërsa ai po shikonte ndeshjen Shqipëri- Rusi
TIRANË- Rifilloi procesi gjyqësore ndaj të pandehurit Lavdërim Tufa, i akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës i njohur si "Miri i Xhikës", si dhe për vrasjen e shokut të tij, Kristaq Cami dhe të kamerierit Julian Durishti, mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2003 në fshatin Lundër.
Ngjarja ndodhi brenda ish-kompleksit sportiv "Kartodromi 2000", që në atë kohë ishte në pronësi të Ramës, ku mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë. Paraditen e djeshme treshja gjykuese e kryesuar Albert Meçe, pasi dëgjoi parashtrimet e kërkesave paraprake të palëve, kërkoi leximin e kërkesës për gjykim ndaj të pandehurit Tufa, i akuzuar për vrasjen e trefishtë dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Gjatë viteve 2006-'07 nga Shkalla e Parë dhe Apeli për Krime të Rënda, Tufa u deklarua fajtor për vrasjen së trefishtë dhe u dënua me "burgim të përjetshëm". Por, pas rekursit në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal e rikthyeu çështjen për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për kompetencë, duke e prishur vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Pritet që me kërkesë të prokurorisë të paraqiten për të dëshmuar tetë dëshmitarë, si Ylli Kelmendi, Nazmi Çela, Alban Shkalla, Flamur Rapaj, Arben Ngjela, si dhe tre ekspertët e ADN-së, Liljana Gjonmemaj, italiani Ronaldo Biondo dhe anglezja Suzan Pop. Këta ekspertë, sipas akuzës, kanë arritur në konkluzione se pështyma e përzier me gjak e gjetur në kapuçin disa metra nga vendi i ngjarjes ka përputhshmëri 99 % me të pandehurin Tufa. Me këtë provë i pandehuri Tufa u deklarua fajtor në proceset e tjera penale nga Krimet e Rënda.
Avokatët pretendojnë se kjo provë nuk mund të merret e saktë, pasi nuk është gjurma e ADN-së së tij 100 për qind, pasi ajo mund të jetë e personave të tjerë.
Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Lavdërim Tufa akuzohet për "vrasjen në rrethana të tjera cilësuese" ndaj Fatmir Ramës, Julian Durishtit dhe Kristaq Cami, plagosjen e Flamur Rrapajt e Ylli Kelmendit, si dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".
Këto akuza, sipas prokurorisë, i pandehuri Tufa i ka konsumuar më 29 mars të vitit 2003 gjatë atentatit të kryer në kompleksin sportiv "Kartodromi 2000", Për këto vrasje, i pandehuri Tufa u cilësua fajtor pasi iu gjetën në një kapuç (maskë) të hedhur në një rrugë afër vendit të vrasjes në Lundër, ku u morën kampionet pështumës së gjetur ADN-ja e së cilës rezultoi se është e njëjta me atë të të pandehurit i cili u arrestua më 26 nëntor 2004.
Vrasja e Mirit të Xhikes, në
TIRANË- Ngjarja për të cilën akuzohet Lavdërim Tufa ka ndodhur më 29 mars të vitit 2003, në lokalin "Kartodrom 2000", pronë e Fatmir Ramës ose Miri i Xhikes, gjatë kohës kur në televizion transmetohej ndeshja e futbollit Shqipëri-Rusi që po luhej në stadiumin e Shkodrës "Loro Boriçi".
Sipas vendimeve të fajësisë, dy persona të maskuar dhe të armatosur, ku njëri prej tyre mendohet se ka qenë i pandehuri Lavdërim Tufa, të cilët mbanin në kokë nga një kapuç u afruar afër derës së lokalit, kanë thyer vetratat dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi tavolinën ku qëndronte Fatmir Rama, së bashku me disa shokë të tij.
Si rezultat i goditjes, mbetën të vrarë Fatmir Rama, Kristaq Cami dhe Julian Drishti, si dhe u plagosën shtetasit Flamur Rrapaj dhe Ylli Kelmendi. Ndërkohë Kelmendi ka qenë i vetmi që ka reaguar ndaj dy atentatorëve, duke qëlluar në drejtim të tyre dhe ka plagosur njërin.
ESKPERTJA:
Përputhshmëri e ADN-së, 99 për qind
TIRANË- Provat e vetme nga të cilat u dënua Lavdërim Tufa, është ajo e ardhur nga Italia dhe Anglia. Ekspertja Suzan Pop para gjykatës, në dëshminë e saj ishte e prerë në mendimet e krijuara pas analizimit të fijes së flokut dhe pështymës.
Për të bërë një interpretim të saktë të konkluzioneve, ajo ka theksuar se "ka pasur përpara aktin e ekspertimit të ADN-së së Lavdërim Tufës, bërë në Laboratorin Qendror të Policisë Shkencore italiane, nga doktor Ronaldo Biondo". Në aktin e tij të ekspertimit, Biondo ka cilësuar përputhshmërinë e Tufës në masën mbi 90 %.
Pra, sipas aktit që ka dalë nga laboratori italian, Lavdërim Tufa mund të konsiderohet si autor i mundshëm i vrasjes së Fatmir Ramës dhe shokëve të tij, në mars të vitit të 2003, në mjediset e Kartodromit.
"Unë në vlerën e ADN-së së përzier që ka dalë nga maska, kam marrë në konsideratë dhe versione të tjera dhe kam parë se individi një (që në këtë rast është Lavdërim Tufa), ka kontribuar më shumë në këtë përzierje". Kjo ishte deklarata e parë e ekspertes nga Londra.
"ADN-ja e Lavdërim Tufës përputhet me ADN-në e përzierjes së gjetur në sipërfaqen e maskës së gjetur në vendngjarje. Dua të them se mundësia e përputhshmërisë së një personi tjetër, që nuk ka lidhje me këtë është një për bilion"-ka nënvizuar ajo.
Ekspertja e ishullit mbretëror, duke bërë këtë interpretim, ka nënvizuar se mundësia e fajësisë së Lavdërim Tufës e nxjerrë nga ana e ADN-së së përzierjes është në shkallën superiore. Pop, i ka kujtuar edhe mbrojtjes së Tufës para gjykatës, se nuk ia lejon ligji që të thotë para gjykatës se i pandehuri Tufa është apo nuk është autor i vrasjes.
Ekspertja Pop e ka mbyllur deklarimin e saj duke pohuar se "Për të bërë vlerësimin, unë kam përdorur dy raste. Atë të individit numër një, që është Lavdërim Tufa dhe përzierjes si dhe individin një me një individ tjetër, që nuk ka lidhje. Përfundimi ka qenë i qartë. Lavdërim Tufa përshtatet në shkallën më superiore të mundshme".