E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 2009 fillon "mobilimi" i Unazës së vogël

Në vitin 2009 do të fillojë zbatimi i projektit të mobilimit urban, që do të shtrihet përgjatë gjithë aksit të Unazës së vogël. Pas rikonstruksionit total të saj, i ka ardhur radha edhe "veshjes" së re nga të dyja anët e trotuareve me ato që quhen elementë të nevojshëm urbanë si pemë, stola për kalimtarët, kosha plehrash, shtrate gjelbërimi, si dhe fiksuesit apo parkuesit e biçikletave. Ky rikualifikim urban i Unazës, sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, konsiston në tri projekte të veçanta.

Puna e parë do të nisë me sistemimin e fasadave përgjatë Unazës

me restaurimin dhe lyerjen e tyre, si dhe me tjetërsimin e disa shesheve ose hapësirave urbane të saj. Këtu do të përfshihet edhe zgjidhja urbane e atyre hapësirave të patrajtuara ose boshllëqeve të krijuara midis vijës së fundit të trotuarit dhe asaj kufizuese të pallateve. Këtyre do t‘u shtohen edhe pjesët ku trotuari është më i gjerë se sa normalja. "Këto hapësira janë trajtuar jo si lulishte, por si sekuenca urbane, ku elementi veshës është sërish sipërfaqe e fortë betoni, i derdhur me një dizenjo të veçantë që krijon uniformitet dhe vijueshmëri dhe ku janë vendosur elemente urbane si stola, pemë (65) që krijojnë hijen e duhur, në afërsi të stolave, vazo lulesh me funksionin dyfish të stolit dhe mbajtës gjelbërimi, ndriçues urbanë, si dhe të gjitha elementet e duhura për krijimin e xhepave çlodhës përgjatë trotuarit, si për kalimtarin e radhës, ashtu edhe për banorin e zonës aty pranë", shprehen përfaqësuesit e bashkisë. Vetë kryebashkiaku Edi Rama ka prezantuar investimet e pritshme në njësinë bashkiake nr.8 në kryeqytet. "Do të doja të vija theksin te projekti ynë i ri, për ruajtjen dhe restaurimin ripërtëritës të zonës historike, e cila është edhe zemra e Njësisë nr.8 dhe që është paraparë në Planin e Ri Rregullues të kryeqytetit, si një pikë referimi për të shkuarën, tha Rama, duke shtuar se "kjo zonë historike e kryeqytetit do përfshihet si një zonë e paprekshme nga pikëpamja e zhvillimit, por ku do të veprohet për restaurimin dhe ripërtëritjen jetësore të elementeve të saj".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›