E Diel, 1 Nëntor 2026

Tubimi paqësor, palët ndahen me shtrëngim duarsh

Një shtrëngim duarsh pas përfundimit të tubimit-homazh u kthye në një akt simbolik “pajtimi” mes policisë së rendit dhe asaj bashkiake. Nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Gjergji Jorgo, u takua miqësisht me drejtorin e Policisë Bashkiake, Zyhdi Dajti, duke lënë të kuptohet se të dyja palët ishin të fituara, me tubimin paqësor. Përtej situatës së qetë, nuk ka munguar dje ankthi mes qindra punonjësve të policisë, të cilët ishin rreshtuar si kurrë më parë përreth Kryeministrisë. Dhjetëra efektivë të forcave RENEA, të pajisur me armë dhe mburoja u vendosën për një moment me shpejtësi në krah të hyrjes ballore të Kryeministrisë dhe qëndruan aty për rreth 10 minuta, duke vëzhguar me hollësi gjithë zonën përreth. Situata e krijuar u duk se nuk premtonte mbylljen e këtij tubimi në mënyrën paqësore, por gjithçka u qetësua sa hap e mbyll sytë. Një urdhër i dytë, vendosi tërheqjen e efektivëve të RENEA-s dhe kthimin e tyre në pozicionet e mëparshme, duke eliminuar “panikun” e krijuar mes radhëve të policisë, pasi skena në fjalë nuk është vënë re nga të pranishmit në tubim. Më pas, të gjithë punonjësit e policisë kanë qenë në rolin e spektatorit përballë mijëra qytetarëve që morën pjesë në tubimin- homazh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›