Veliaj: Kishim informacione se dje rrezikohej jeta e Edi Ramës
Situata e rënduar së tepërmi që pas ngjarjeve të 21 janarit ka vënë në rrezik dhe jetën e kreut socialist Edi Rama. Partia Socialiste ka disponuar të dhëna konfidenciale se jeta e kreut të opozitës, Edi Rama, dje gjatë demonstratës-homazh të zhvilluar në bulevardin kryesor të Tiranës ka qenë e rrezikuar. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje njëri prej përfaqësuesve të selisë rozë, Erion Veliaj, gjatë një komunikimi në media, ku ndërmjet të tjerave ka pranuar se si pasojë e këtyre të dhënave ishin marrë masa shtesë për të garantuar jetën e kryesocialistit Edi Rama. “Nuk kemi injoruar kësaj radhe informacionet për sigurinë fizike të liderit të PS-së. Kemi patur informacione për rrezikun që ekzistonte për sigurinë, ndaj kemi shtuar sigurinë e liderit të PS-së në shesh”, - tha anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Erion Veliaj. Më tej, duke folur për situatën politike në vend dhe qëndrimin që do të mbajë opozita në vijim, ai ka garantuar se protestat do të vijojnë edhe më tej. Ai ka lënë të kuptohet se ekziston një kalendar paraprak, që protestat të mund të zhvillohen në mënyrë paqësore çdo të premte në Tiranë, ndërsa do të përhapen ndërkohë dhe në të gjitha rrethet e Shqipërisë. “Ne nuk mund të negociojmë të drejtën e tubimeve. Demonstrata e 21 janarit tregoi se në popull ka mllef, ndaj do të ishte normale që demonstratat apo protestat të mund të ndodhnin çdo të premte. Do t’i përmbahemi këtij kalendari”, - u shpreh Veliaj. Gjithashtu, përsa i përket krizës, ai ka bërë të ditur se për zgjidhjen e saj pritet vijnë në Shqipëri drejtuesit më të lartë të BE-së, përfshi këtu komisionerin e Zgjerimit, Shtefan Fule, dhe komisionerja e Jashtme, Katrin Heshton.