E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai i Ramit: Skenari i një vrasjeje politike nga im bir, qesharak

Intervistoi: Habjon Hasani

Zenel Rami, babai 73-vjeçar i të arrestuarit si organizator i një komploti për vrasjen e Edi Ramës, rrëfen se si e mori vesh arrestimin e të birit dhe komenton akuzat e ngritura kundër tij. Në një intervistë për “MAPO”-n, ai thotë se revoltimi i të birit për thyerjen e xhamave të makinës është një veprim i papjekur e i nxituar në këto kohë të vështira, por shton se dyshimet që e përfshijnë atë në “komplot” janë qesharake. “A është serioze dhe a ka logjikë që një njeri që na paska plane për një vrasje politike, shumë të rëndë, t’i çojë sms kreut të opozitës, që ishte në këtë rast dhe objektivi”, - pyet Zenel Rami, duke shtuar se i biri mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit, kur i ka dërguar SMS-në kreut të opozitës.

Zoti Rami, si e morët vesh arrestimin e djalit tuaj, i cili dyshohet si organizatori kryesor i një plani për ekzekutimin e kreut të opozitës, Edi Rama?

Në datën 28 janar, ditë kur opozita bëri manifestimin e saj për viktimat, disa të afërm më marrin paradite në telefon dhe më thonë se policia ka shoqëruar djalin tim, Luanin, sepse siç më thanë në fillim, i kishin ushtruar kontroll rutinë, nuk i kishin gjetur mjet identifikimi dhe e kishin shoqëruar. Në drekë kam marrë pasaportën që e kishte në shtëpi dhe me akt- noterial kam marrë avokatin dhe kam bërë dorëzimin e pasaportës në komisariat, ku më thanë se nuk do e mbanin gjatë dhe nga pasditja do të dilte. Nga ora 19:20 e mbrëmjes së datës 28, e kam marrë në telefon djalin dhe e ka pasur hapur telefonin. M’u përgjigj. E pyes, e i them se ku ishte, ai më përgjigjet se ishte në lokal me shokët, po pinte kafe. Në fakt, nuk ka qenë në lokal, ka qenë në polici, por si duket, e kanë detyruar të përgjigjet në telefon për të bërë verifikimet. Pas kësaj telefonate, e kam marrë dhe nga ora 22:23 e mbrëmjes dhe e kishte të fikur telefonin. Shkova të flija dhe mendova se djali ka shkuar të flejë në një shtëpi tjetër që e kemi në Durrës. Në mëngjesin e datës 29, e kam marrë sërish në telefon dhe sërish e kishte mbyllur. Derisa pak më vonë, një i afërm i imi më ka telefonuar dhe më ka thënë se Luani ishte ende në polici dhe ku më tregoi se si qëndronte puna e ndalimit të tij.

Çfarë pune bën Luani, çfarë arsimi ka?

Djali ka mbaruar fakultetin e inxhinierisë elektrike. Për pesë vite ka punuar si drejtor rajonal i KESH-it për gjysmën e veriut dhe është profesionist në këtë fushë. Unë gjithashtu kam punuar në Burrel, drejtor Elektriku për vite me radhë. Kam dhe tre fëmijë të tjerë. Do ju lutesha të shkonit e të pyesnit, nëse doni, në Burrel, por edhe këtu në Laprakë, ku jetojmë prej vitesh, për mua dhe gjithë fëmijët e mi dhe ta shihni vetë se çfarë reputacioni gëzojmë ne.

A jeni në dijeni ju se çfarë ka ndodhur më datën 21 janar me djalin tuaj dhe makinën e tij?

Djalit i kanë thyer xhamat e automjetit disa nga protestuesit. Saktësisht, rrethanat i kam me të thënë, se nuk kam qenë vetë aty dhe normalisht është revoltuar se ia kanë thyer xhamat e automjetit. Por më shumë se ç’duhej është revoltuar, sepse dëmtimi i makinës nuk i justifikon të tjerat.

Jeni në dijeni të faktit që Luani i ka dërguar një SMS kërcënues kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama?

Më kanë thënë se i ka dërguar një mesazh në telefon. Në qoftë se e ka bërë vërtet, shumë gabim ka bërë dhe është një shenjë papjekurie dhe nxitimi. Sepse në këtë situatë të tensionuar, shkojnë koka njerëzish e nuk diskutohet fare pse u thyen dy xhama makine. Por, një diçka e deklaroj për djalin tim: Nuk e di se në çfarë rrethanash ka rënë në këto gabime.

ǒdo të thotë kjo?

E them këtë, duke njohur natyrën e Luanit, si njeri i matur dhe shumë i sjellshëm. Unë mendoj se ka qenë nën efektin e alkoolit. As nuk diskutohen fare, ato akuza që i janë bërë, është thjesht nxitimi i tij që e ka sjellë në këto rrethana, në këto kohë të vështira. Dua t’i bëj një pyetje çdokujt prej atyre që i kanë marrë seriozisht, ato që janë thënë për djalin tim. A është serioze dhe a ka logjikë, që një njeri që na paska plane për një vrasje politike, shumë të rëndë, t’i çojë sms kreut të opozitës, që ishte në këtë rast dhe objektivi? Kjo është një histori qesharake dhe e them me përgjegjësi, që borxh djali askujt tjetër nuk i ka. Vetëm mua më ka bërë borxh me veprimin e papjekur dhe të nxituar dhe shqetësimin që na solli kjo situatë tërësisht e keqkuptuar.

Në media jeni përfolur se keni lidhje farefisnore dhe jeni të afërm me Afrim Ramin, i njohur ndryshe si “Luçiano”, i cili ka qenë dhe anëtar i grupit të Zani Çaushit në vitin 1997. A mendoni sa ka ndonjë lidhje me historinë e djalit tuaj?

Po, e konfirmoj me gjithë zemër dhe me krenari që e kam të afërt. Meqenëse ma bëtë këtë pyetje, dua të shtoj se ai ka qenë një nga djemtë më të mirë të Burrelit. Pyesni kë të doni atje, për të ndjerin Afrim, dhe shikojeni se çdo ju thonë. Djalë i vetëm dhe djalë shumë i urtë ka qenë. Me këta të Vlorës është njohur në Greqi. Kriminel dhe kokë turku, atë e bëri politika. Nuk më duket e arsyeshme që t’i përmendet emri në këtë formë nga mediat dhe në një kontekst dashakeqës, nuk më pëlqejnë këto gjëra, sepse japin ide krejt tjetër nga sa është realiteti i këtyre punëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›